Ndonëse sezoni i verës ende nuk ka hyrë plotësisht në intensitetin e tij në qendrën shëndetësore në qytetin e Belshit janë regjistruar raste të shumta të pickimeve nga insektet, kryesisht te fermerët që merren me aktivitete bujqësore. Kjo situatë ka ngritur shqetësimin tek autoritetet shëndetësore lokale duke paralajmëruar për rritjen e kujdesit nga pickimet në zonat rurale dhe në arat bujqësore.Belshi dhe zona e Dumresë është jo vetëm një nga zonat më të mëdha bujqësore të vendit tonë , por edhe një nga zonat më të nxehta gjatë stinës së Verës ku historikisht shqetësim për fermerët ka qenë dhe mbetet rreziku i pickimeve nga instektet e rrezikshme dhe gjarpërinjtë.
Sipas mjekut Agim Hasko i cili shërben pranë qendrës shëndetësore të Belshit, pjesa më e madhe e rasteve të paraqitura janë fermerë aktivë të angazhuar në kultivimin e kulturave bujqësore dhe të atyre që përgatiten për sezonin e korrjes së kukturave bujqësore ndonëse aktivitetet intensive si vjelja e pemëve frutore apo korrja e grurit nuk kanë nisur ende. Mjeku thekson se “situata është nën kontroll, falë reagimit në kohë të stafit mjekësor dhe trajtimit të menjëhershëm të rasteve.”
Mjeku Agim Hasko e lidh rritjen e rasteve të pickimit nga insektet e rrezikshme kryesisht me pakujdesinë e vetë fermerëve të cilët shpesh nuk ndjekin masat bazë të mbrojtjes ndaj insekteve, nuk përdorin veshje të përshtatshme dhe mbi të gjitha, anashkalojnë ndihmën e parë mjekësore duke e agravuar më tej gjendjen shëndetësore pas pickimit. Ai thekson rëndësinë e ndërhyrjes së menjëhershme sidomos në rastet kur reagimet janë të forta ose shfaqen shenja alergjie.Nuk është hera e parë që kjo zonë përballet me kërcënime të tilla nga insektet e rrezikshme dhe gjarpërinjtë . Gjatë verës së vitit 2024 në të njëjtën qendër shëndetësore janë shënuar mjaft raste të pickimeve nga gjarpërinjtë, ku disa pacientë janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit për trajtim më të specializuar. Ky precedent ka bërë që mjekët të apelojnë me forcë për një përgatitje më të mirë të komunitetit rural duke e parë këtë si një çështje serioze të shëndetit publik në zonat bujqësore.Mjeku Agim Hasko apelon për përdorimin e lëndëve dezinfektuese dhe repelentëve specifikë që shërbejnë për largimin e insekteve dhe gjarpërinjve nga zonat e banuara dhe parcelat bujqësore. Ai thekson rëndësinë e bashkëpunimit të farmacive bujqësore për të informuar fermerët mbi përdorimin e këtyre produkteve dhe nevojën për të ndërmarrë veprime të vazhdueshme parandaluese.Nga ana tjetër, Qendra Shëndetësore e Belshit është tërësisht e përgatitur për të përballuar situatat urgjente, falë punës serioze të stafi të mirëkualifikuar të mjekëve dhe infermierëve, të cilët janë të trajnuar posaçërisht për reagim të shpejtë në raste pickimesh nga insektet dhe gjarpërinjtë . Kjo qendër mbetet pikë referimi për ndihmën e parë në të gjithë zonën e Dumresë dhe një faktor kyç në menaxhimin e emergjencave sezonale.
Mjekët theksojnë se simptomat pas pickimeve,si fryrje, skuqje, dhimbje lokale, por edhe shenja më të rënda si vështirësi në frymëmarrje apo marrje mendsh ,nuk duhet të neglizhohen në asnjë rrethanë. Ndërhyrja në kohë dhe trajtimi korrekt janë jetike për shmangien e komplikacioneve më serioze.Situata e fundit e evidentuar në Belsh shërben si një paralajmërim i hershëm për rrezikun real që paraqesin insektet dhe zvarranikët në zonat rurale. Kujdesi, edukimi dhe bashkëpunimi ndërmjet komunitetit dhe strukturave shëndetësore mbeten kyçe për të garantuar një sezon të sigurt për fermerët dhe banorët e zonës.
“Arena e Lajmit”