Sezoni u mbyll tashmë me verdiktet finale, por patjetër që llogaritë bëhen në çdo kamp, ku analizohet gjithçka në detaje dhe shikohen gabimet e edicionit që pa si triumfues në fund ekipin e Egnatias.
Po ashtu një analizë ka edhe te Vllaznia, që ishte ndoshta “humbësja” më e madhe e këtij sezoni. Shkodranët për të tretin vit radhazi dalin duarbosh sa i përket fitimit të trofeve. Megjithatë, po t’u hedhësh një sy ndeshjeve vendimtare të këtij edicioni, shkodranët kanë “deficitet” e tyre.
Nis nga gjysmëfinalja e kthimit në Kupë kundër Dinamos, ku në pjesën e parë i mposhtën 4- 0. Kuqeblutë u kujtuan “vonë” në fraksionin e dytë të lojës, duke reaguar me 3 gola, por duke u eliminuar nga Kupa, që ishte një objektiv real për 9 herë kampionët e vendit. Edhe në gjysmëfinalen e “Final 4”, Vllaznia “vuajti” shumë ndaj Dinamos.
Duke treguar shenja të qarta lodhjeje në pjesën e dytë e po ashtu përqendrimi. Dinamovitët nuk arritën kualifikimin kësaj radhe, pasi shkodranët kishin avantazhin e dy golave dhe gjithçka u mbyll 2- 1, pavarësisht dominimit që i bëri ekipi i Dajës në përgjithësi kësaj ndeshjeje.
Por këto shenja “negative” të shfaqura në gjysmëfinale, u konkretizuan totalisht në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, finalen kundër Egnatias. Vllaznia u dorëzua pa kushte në shifrat 4-0 ndaj Egnatias dhe që vërtetoi një fakt, se Vllaznia ishte e “brishtë” në duelet ku ndodhej nën presion dhe ku vlente vetëm rezultati pozitiv.
“Arena e Lajmit”