
Luiz Ejlli ka reaguar përmes një postimi në Instagram lidhur me ndarjen e pikëve në finalen e Eurovision 2025. Sipas tij, rezultati i këtij kompeticioni është më shumë pasojë e lojërave politike dhe aleancave mes shteteve sesa e vlerësimit real të performancave muzikore.
“Ajo që pashë në Eurovision ishte e njëjta histori e vjetër… pikë që shpërndahen sipas pasaportës, jo sipas performancës”, shkruan ai, duke nënvizuar se vendet e vogla që guxojnë të sjellin diçka ndryshe shpeshherë ndeshen me vështirësi për t’u vlerësuar drejt.
Ai thekson se Shqipëria këtë vit, përfaqësuar nga “Shkodra Elektronike”, solli një pamje të re, moderne dhe autentike të vendit. “Shkodra foli me zë të lirë, solli një Shqipëri tjetër, moderne, elektrike, me identitet”, shkruan Luiz, duke shtuar se “s’ka pikë që na e ul vlerën”.
Në fund, artisti përmbyll me një mesazh ku thekson se muzika nuk mund të matet me kalkulime politike: “Muzika është ndjenjë, dhe kjo ndjenjë nuk futet dot në kalkulime politike.”