Një situatë mjaft e rënduar është regjistruar prej orëve të pasdites në të gjitha akset rrugore që përshkojnë qarkun e Elbasanit duke sjellë bllokim thuajse total të trafikut dhe vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve.
Segmenti më problematik mbetet aksi i rrugës kombëtare Rrogozhinë–Peqin–Elbasan–Tuneli i Krrabës–Tiranë, ku fluksi i jashtëzakonshëm i automjeteve ka shkaktuar radhë kilometrike dhe vonesa të zgjatura. Kthimi i pushuesve ditorë nga bregdeti i Adriatikut drejt kryeqytetit pas një dite të kaluar në plazh është identifikuar si shkaku kryesor i kësaj mbingarkese rrugore.
Situata është rënduar më tej edhe nga fluksi i madh i automjeteve që kanë ardhur nga drejtimi i Korçës në drejtim të Tiranës, duke shtuar trafikun në këtë korridor të rëndësishëm kombëtar. Autoritetet rrugore dhe strukturat e rendit janë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të lehtësuar qarkullimin, por për momentin, trafiku mbetet i paralizuar në shumë segmente.
Udhëtarët këshillohen të shmangin, nëse është e mundur, udhëtimin drejt Tiranës në këto orë kulmore ose të zgjedhin rrugë alternative, pasi pritet që trafiku të vijojë të jetë i rënduar edhe në orët në vijim.