Kandidati për deputet nga lista e hapur e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, në një intervistë për News24 deklaroi se Partia Demokratike shënoi një fitore historike në Krujë. Ai theksoi se ka marrë mbi 8000 vota deri më tani dhe është i vendosur të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Kalaja bëri me dije se i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me dy kërkesa, ndër të cilat edhe rinumërimi i votave. Ai paralajmëroi se në rast se votat nuk rinumërohen, do t’i drejtohet Prokurorisë për të nisur hetimet për manipulime të mundshme. “Kam kërkuar edhe pamjet filmike, veçanërisht për votat mes PS dhe PD-së. Beteja ime është për dinjitet. Vullneti i qytetarëve nuk duhet të deformohet,” u shpreh Kalaja.
Duke falënderuar numëruesit dhe komisionerët e PD-së për punën e tyre, Kalaja u zotua se do të vazhdojë të luftojë për kauzat e qytetarëve dhe integritetin e votës. Ai u shpreh se nuk ka blerë vota dhe sfidoi SPAK-un të kontrollojë telefonin e tij: “Nëse SPAK gjen ndonjë kontakt të papërshtatshëm, nuk dal më në media.”
“Jam një figurë e pakonsumuar. Kam qenë në terren, edhe gjatë tërmetit në Fushë Krujë. Luftoj përballë bandave dhe jam para demokratëve dhe qytetarëve me parimet e mia. Do vazhdoj punën time me ose pa mandat,” deklaroi Kalaja, duke shtuar se do të qëndrojë deri në numërimin e fundit të votës.
Aulon Kalaja, kandidat nga lista e hapur e Partisë Demokratike në Durrës: PD ka arritur fitore historike në Krujë. I jam drejtuar KQZ-së për dy kërkesa, ku njëra nga ta është edhe rinumërimi i votave. Nëse nuk numërojnë votat, do i drejtohem Prokurorisë. Kam kërkuar pamjet filmike, do shqyrtojmë edhe votën e hedhur për PS apo PD. Unë betejën e bëj për dinjitet dhe do vendos një standard, që nuk do thyhet më në zgjedhjet e tjera. Vullneti i qytetarëve duhet mos të deformohet. Kam marrë mbi 8000 vota, do pres rezultatin tim me qetësi dhe do mbaj qëndrimet e mia. Do mbroj votën e qytetarëve. Kush ka bërë manipulime, do mbajë përgjegjësi penale. Dua të falënderoj numëruesit dhe komisionerët e PD-së. Jam figurë e pakonsumuar, kam qenë prezent pranë njerëzve kur ka qenë tërmeti në Fushë Krujë, nuk kam blerë vota. SPAK të vendosë në përgjim telefonin tim dhe nëse gjen ndonjë kontakt të papërshtatshëm, unë nuk dal më në media. Unë besoj se kam qenë një alternativë, kam luftuar përballë bandave, kam dalë përpara demokratëve me parimet e mia. Unë do bëj punë me ose pa mandat deputeti. Ne po luftojmë deri në votën e fundit.
(d.xh-Arena e Lajmit)