Në Gjirokastër, ku kalldrëmet flasin histori dhe gurët ruajnë kujtime brezash, turistët nuk janë më vetëm spektatorë. Ata po bëhen pjesë aktive e trashëgimisë duke përjetuar nga afër mjeshtëritë e vjetra që kanë ndërtuar identitetin artizanal të qytetit.
Qendrat e artizanatit në sezonin e pranverës janë shndërruar në atelie gjallëruese, ku vizitorët tërhiqen jo vetëm nga suveniret, por edhe nga dëshira për të krijuar me duart e tyre. Nga punimet e thjeshta në dru të gdhendur deri te teknikat tradicionale të punimit me dorë, përvoja artizanale po bëhet pjesë e pandarë e guidave turistike.
“Është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë. Na pëlqen shumë që të krijojmë punime të thjeshta karakteristike, ju keni tradita shumë të bukura në këtë drejtim. Është diçka e bukur të realizosh gjëra të tilla në gdhendje druri”, tha turisti.
“Më pëlqen shumë natyra dhe historia e Shqipërisë. Po mësojmë të realizojmë punime në dru të gdhendur, po përjetojmë një eksperiencë të veçantë.” theksoi vajza turiste .
Mjeshtri Viktor Nurçe, një nga emrat më të njohur të drugdhendjes në qytet, thotë se interesi i turistëve për historinë dhe zanatet e hershme po e rrit përgjegjësinë e mjeshtërve:
“Turistët janë shumë të interesuar për çdo detaj. Duan të dinë historinë e çdo teknike, të çdo vegle. Kjo na detyron që të jemi më seriozë, sepse suveniri që marrin është edhe një mesazh që ata çojnë me vete.”
Rritja e turizmit ka sjellë një rigjallërim të zanateve dhe trashëgimisë së punuar me dorë, duke hapur edhe disa qendra të reja artizanati në zonën historike të qytetit. Gjirokastra jo vetëm po ruan traditat, por po i transmeton ato në gjuhën universale të përvojës.
()