Librazhd, turistë të huaj vizitojnë Stëblevën, Fushë Studen dhe Parkun Kombëtar Shebenik. Mbjellin patate bashkë me fermerët e zonës

Bashkia Librazhd po përjeton një zhvillim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në fushën e turizmit malor duke u kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse për udhëtarët vendas dhe të huaj që kërkojnë natyrë të paprekur, mikpritje tradicionale dhe përvoja autentike.

Në qendër të këtij zhvillimi qëndrojnë Zona e Steblevës dhe Parku Kombëtar Shebenik, dy perla të natyrës shqiptare që tërheqin çdo vit mijëra vizitorë.

Por përveç tyre, gjithnjë e më shumë vëmendje po marrin edhe fshatrat Qarrishtë, Xhyrë,Dardhë  dhe Polis.

Këto destinacione ofrojnë një përzierje të rrallë të biodiversitetit, historisë dhe kulturës vendase.

Këtë fillim jave, një grup turistësh të huaj, kryesisht nga SHBA, por edhe nga vende të tjera të botës, vizituan disa prej këtyre zonave malore duke eksperimentuar forma të ndryshme të turizmit aktiv, ecje në natyrë, çiklizëm malor si dhe përfshirje në jetën bujqësore të komunitetit vendas.

Një nga përvojat më të veçanta të kësaj vizite ishte mbjellja e patates në fshatin Fushë-Studën, pjesë e Njësisë Administrative Steblevë.

Kjo zonë njihet për prodhimin tradicional të kësaj kulture bujqësore, e cila jo vetëm që ka vlera të larta ushqimore dhe tregtare, por edhe është e lidhur ngushtë me identitetin bujqësor të zonës.

Turistët morën pjesë aktivisht në punën e përditshme të fermerëve, duke ndihmuar në përgatitjen dhe mbjelljen e tokës dhe u shprehën entuziastë për këtë eksperiencë të pazakontë.

“Kjo ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe e shkëlqyer që nuk mund ta përjetosh lehtë në ndonjë vend tjetër. Shqipëria është thjesht mahnitëse dhe e mrekullueshme në çdo aspekt,” u shpreh një nga turistët nga SHBA.

“Kemi ardhur nga disa shtete të botës, dhe për shumë prej nesh, kjo është hera e parë në Shqipëri.

Po shijojmë natyrën e mrekullueshme të Parkut Kombëtar Shebenik, por edhe po ndihmojmë fermerët e zonës me punët në bujqësi.

Një kombinim ideal i relaksit dhe kontributit!”Përveç natyrës, ata vlerësuan lart mikpritjen e njerëzve, ushqimet tradicionale dhe ndjesinë e të jetuarit për pak kohë si vendasit.

“Gatimet janë të shijshme, njerëzit janë të mrekullueshëm. Me siguri do të kthehemi, dhe do të sjellim me vete edhe grupe të tjera më të mëdha.

U bëjmë thirrje të gjithëve të vizitojnë Shqipërinë sa më shpejt, sa më shpesh dhe sa më shumë!”

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan, Fatmir Brazhda, i cili së bashku me stafin e tij iu bashkua grupit të turistëve në mbjelljen e patates në Fushë-Studën u shpreh se kjo është një qasje e re në turizëm që po shfaq shenja të qarta suksesi.

“Ky është një model i ri turizmi ,një formë ndërveprimi mes vizitorëve dhe komunitetit që shkon përtej vizitës klasike. Ai ndërthur natyrën, traditën dhe përfshirjen sociale.

Nëse kjo përvojë promovohet siç duhet, mund të kthehet në një model të fuqishëm të zhvillimit lokal dhe të turizmit të qëndrueshëm,” deklaroi Brazhda.

Ky model i turizmit përfshirës  ku vizitorët jo vetëm shijojnë bukuritë natyrore por edhe ndihmojnë në punët bujqësore apo artizanale  po shihet si një formë efikase për të mbështetur ekonominë rurale dhe për të forcuar lidhjen mes njeriut dhe natyrës.

Librazhdi me pasurinë e tij të rrallë natyrore dhe kulturore po pozicionohet gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve malore më atraktive në Shqipëri duke ofruar jo vetëm pushim dhe aventurë, por edhe mundësi për përvoja të paharrueshme dhe të veçanta.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook