
Vrasja brutale e influencueses meksikane, Valeria Márquez, gjatë një transmetimi live në TikTok më 13 maj në sallonin e saj të bukurisë në Zapopan, Jalisco, ka tronditur rrjetet sociale dhe opinionin publik. Por zhvillimet e fundit po e shtyjnë hetimin në një drejtim edhe më të errët: tradhti nga një shoqe e ngushtë.
Sipas medias argjentinase La Derecha Diario, një video e re mund të konfirmojë se Valeria u tradhtua nga një mikeshë e saj, e cila ndodhej me të në momentin e sulmit. Kjo shoqe tashmë po hetohet si bashkëpunëtore në atentat, duke ngritur dyshime të forta se ajo mund të ketë ndihmuar autorët, ose të ketë pasur dijeni për sulmin që do të ndodhte.

Valeria, vetëm 23 vjeç, ishte një emër i njohur në rrjetet sociale, ndërsa momenti i vrasjes së saj u bë viral në të gjithë botën. E shoqëruar nga një vajzë që konsiderohej si një nga mikeshat e saj më të afërta, ajo u qëllua për vdekje në mes të sallonit të saj.
Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi përfshirjen e shoqes, por lajmi ka nxitur reagime të ashpra nga ndjekësit dhe komuniteti online, që tani kërkojnë drejtësi dhe transparencë.
Ngjarja mbetet në hetim të plotë, por nëse dyshimet konfirmohen, kjo do të ishte një nga rastet më tronditëse të tradhtisë mes mikeshash të afërta në rrjetin influencer.