“Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh, do të kthehesh dhe nuk do të më shohësh, por unë do të jem aty”.
Kjo është fjalia që nëna Gëzime dhe babai Flamur kanë shkruar në memorialin në kujtim të vajzës së tyre, Ilaria Sula, e vrarë në Romë marsin e kaluar nga ish-i dashuri i saj Mark Samson. Memoriali u vendos në Capranica Prenestina, vendi ku u gjet trupi i pajetë i vajzës shqiptare.
Pikërisht aty, në shpatin midis pyjeve të Monte Guadagnolo dhe Capranica Prenestina – ku Mark Samson, një kriminel i vetëshpallur, hodhi valixhen në të cilën kishte fshehur trupin e masakruar të studentes me origjinë shqiptare, është pllaka e memorialit, e bërë nga prindërit e Ilarias.
“Faleminderit të gjithëve, Bashkisë dhe kryetarit të bashkisë Capranica Prenestina me zemër të madhe për gjithçka që u lejua të bëhej për vajzën time Ilaria”, komentoi babai i saj Flamur Sula.
Në përurim, pranë prindërve të Ilarias, ishte edhe kryetari i bashkisë së Capranicas, Francesco Colagrossi.
“Ky vend nga i cili mund të admirosh bukurinë e natyrës më shumë se kudo tjetër”, tha kryebashkiaku, “kjo hapësirë që shikon drejt horizontit dhe nga e cila në ditët më të kthjellëta, kur era e veriut i largon retë, mund të shohësh detin, do të jetë vendi i kujtimit tënd, Ilaria e ëmbël, dhe do të na çojë të reflektojmë mbi kuptimin e jetës, mbi vlerën e saj, mbi mënyrën se si të mbrohemi nga një dashuri e sëmurë dhe shkatërruese” – përfundon kryebashkiaku.
()