“Në Shënjestër”/ Kristian Marku, viktima e fundit e një zinxhiri gjakmarrjesh që nuk ndalet në Rrëshen

Kristian Marku, i njohur edhe me mbiemrin Bardhi, ishte vetëm 30 vjeç kur u vra më 13 janar 2025 në fshatin Novoselë, në Vlorë.

Ai nuk ishte një emër i panjohur për autoritetet: dosja e tij penale përmbante një sërë akuzash që lidhen kryesisht me përfshirjen në konfliktin e përgjakshëm mes fiseve Reçi, Gjini dhe Bardhi në qytetin e Rrëshenit.

Ky konflikt i gjatë dhe i ndërlikuar ka rrënjët në një prishje pazari droge në Itali, në vitin 2017, mes Gaspër Reçit dhe Preng Gjinit.

Pas vrasjes së biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshen më datë 7 Janar 2020, pa u mbyllur viti 2020, një tjetër ngjarje kriminale tronditi këtë herë fisin Gjini, ajo e vrasjes së 51 vjeçarit, Anton Keli, kushëri me Preng dhe Armando Gjinin.

Keli u qëllua teksa po zbriste shkallët e pallatit ku banonte.

Ngjarje kriminale e cila në fakt pasonte atë të atentatit me eksploziv në urën e Selitës në Tiranë ndaj Preng Gjinit, makina e të cilit shpërtheu ndërsa po kalonte mbi urë, duke tronditur të gjithë të pranishmit me brutalitetin e saj.

“Preng Gjini deklaron se një vit më parë i kanë vrarë vëllain. Ai thotë po kështu se nuk ka dijeni për ndonjë konflikt apo hasmëri.

Të njëjtën gjë mohuan në dëshmitë e tyre edhe familjarë të Kastriot dhe Gaspër Reçit, dy vëllezërve të vrarë në konflikt me familjen Gjini”, thuhet në dosjen hetimore të vrasjes së Kristian Markut.

Por edhe pse u duk se për disa kohë, dy fiset Reçi dhe Gjini, ulën gjakrat midis tyre, ky hamendësim rezultoi të ishte jo i vërtetë. Pasi në këtë përplasje u futën edhe pjesëtarë të familjes Bardhi, që ishin në anën e fisit Gjini.

Siç ishte e tillë edhe ngjarja e datës 26 Qershor 2023, ku thuhet se Kristian Marku alias Kristi Bardhi, rreth orës 19.00 të mbrëmjes së kësaj datë, qëlloi në qytetin e Rrëshenit në drejtim të shtetasit Saimir Reçi.

Ku të përfshirë në këtë ngjarje ishin edhe Erind Bardhi dhe babai i tij, 58 vjeçari, Martin Bardhi. Ky i fundit që u la në liri nga Gjykata e Lezhës për atentatin  ndaj Saimir Reçit, pasi solli prova filmike se në muajin mars kur ndodhi përplasja me armë ai ndodhej në një vend tjetër, të ndryshëm nga ai i krimit.

Por edhe pse kishte dy muaj që kishte fituar lirinë, Martin Bardhi thuhet se nuk dilte shpesh në qytet.  Ai shihej rrallë në qarkullim. Ndërsa vetëm ditët e fundit, para se të binte pre e atentatit, kishte filluar t’i shpeshtonte vizitat në lokalin e tij.

Gjë që mesa duket e kishin vënë re edhe armiqtë e tij, të cilët kishin kohë që prisnin çastin e duhur për t’u hakmarrë ndaj tij. Mundësi që u erdhi në shteg mëngjesin e datës 27 shtator, kur Martin Bardhi la sërish banesën, për të vizituar lokalin e tij në qendër të Rrëshenit.  Aty ku edhe u ekzekutua ndërsa po pinte kafenë.

Ndërsa viktima e 10-të e kësaj sage hakmarrje të përgjakshme, midis fiseve Reçi-Gjini dhe Bardhi, u bë Kristian Marku i cili u ekzekutua më 13 Janar 2025, pranë fshatit Novoselë në Vlorë duke lënë pas edhe një fëmijë vetëm disa muajsh dhe që nuk pati mundësi ta shijojë babanë e tij.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook