Në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë Shtetërore, Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Gonzato vlerësoi rolin e këtij institucioni në forcimin e mirëqeverisjes dhe transparencës në vend.
“Legjislacioni i BE kërkon që institucionet si KLSH të jenë të pavarura dhe të pajisura me burimet dhe mandatin e duhur për të ushtruar kontroll mbi të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e fondeve publike, përfshirë ato të Bashkimit Evropian dhe të donatorëve të tjerë. Çfarëdo ndryshime që do të bëhen duhet të jenë në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit dhe standardeve të BE”, tha Gonzato.
Ambasadori ka përgëzuar KLSH-në për përparimin e bërë ndër vite dhe aftësinë që të zbatojë standardet ndërkombëtare të auditimit, ndërsa tha se situata është përmirësuar, por se ka ende vend për përmirësim të mëtejshëm.
Gonzato theksoi se angazhimi i KLSH për transparencë si dhe roli i saj në parandalimin e mashtrimit identifikimin e parregullsive në prokurimin publik dhe rregullimin e kontrollit të brendshëm të institucioneve është thelbësor për ndërtimin e një kulture llogaridhënieje në administratën publike.
“Nuk bëhet fjalë thjesht për ndryshimin e ligjeve apo për dhënien e rekomandimeve. Sfida kryesore është ndryshimi i mendësisë,” u shpreh Ambasadori, duke theksuar se “një KLSH e pavarur, e besueshme dhe efektive është një gur themeli për mirëqeverisjen dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, deklaroi ambasadori i BE në Shqipëri.