Ish-ministri Ilir Beqaj ka reaguar publikisht për zhvillimet në çështjen e njohur si “Sterilizimi”, duke theksuar se kjo nuk është një çështje që ka të bëjë drejtpërdrejt me koncesionin e sterilizimit.
“Së pari, nuk bëhet fjalë për çështjen e sterilizimit, as për kontratën e sterilizimit dhe as për koncesionin në fjalë. Këto nuk përmenden as në titullin e kontratës. Sterilizimi është vetëm një nga gjashtë komponentët e saj. Bëhet fjalë për instrumentet kirurgjikale”, u shpreh Beqaj.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime për mënyrën se si po prezantohet dosja në publik: “I referohen dosjes si ‘Ilir Beqaj dhe të tjerët’. Unë jam i fundit në kërkesën e gjykatës. Pse duhet të thuhet kështu? Kjo i paraqet të tjerët sikur janë aty për shkakun tim. Unë synoj pafajësinë dhe kjo është vetëm një nominale, jo faktike.”
Përsa i përket mbrojtjes ligjore, Beqaj ka kritikuar mënyrën e caktimit të avokatit nga gjykata: “Kam kërkuar të kem avokat Maks Haxhian, si drejtues i Dhomës së Avokatisë. Avokati i caktuar kryesisht nga gjykata u shpreh brenda dy javëve se ishte gati për mbrojtje, pa e lexuar dosjen dhe pa më takuar asnjëherë.”
Ai shpreh shqetësimin se nuk është informuar në mënyrë të duhur: “Do të doja të isha informuar nga gjykata se kur ka ardhur ky avokat për t’u njohur me dosjen time.”
Beqaj thekson gjithashtu se vendimi i datës 23 janar 2025 përmban të dhëna dhe informacione të rreme, dhe se procedimi penal ndaj tij nuk duhej të kishte nisur. “I njëjti fakt penal është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës dhe është pushuar nga ajo prokurori,” theksoi ai.