Ndeshja Shqipëri-Serbi është tema më e nxehtë që po diskutohet në vendin tonë prej muajsh, pasi nuk është thjesht rivali i radhës, por është historia që ndërhyn mes kombit shqiptar dhe Serbisë gjatë këtij 90 minutëshi. Kuqezinjtë do të presin kombëtaren serbe më 7 qershor në “Arenën Kombëtare”, një ndeshje e vështirë në çdo aspekt, por trajneri Sylvinho ka patur mjaftueshëm kohë në dispozicion për të menduar sesi grupi i lojtarëve do ta përballojë këtë takim në aspektin psikologjik, por dhe në fushën e blertë.
Tekniku brazilian pritet që këtë fundjavë të bëjë zyrtare listën me 26 futbollistët që do të grumbullohen të hënën e 26 majit. Burime për News24 bëjnë me dije se këtë radhë kuqezinjtë, do të grumbullohen në Durrës për shkak se nuk mund të stërviten në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, pasi Uefa nuk lejon askënd përveç ekipeve që marrin pjesë në Kampionatin Europian U17 të ushtrohen aty. Në këtë mënyrë djemtë e Sylvinho-s do të qëndrojnë në qytetin bregdetar të paktën deri më 31 maj, ku pritet të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore me Përfaqësuesen U-21, që drejtohet nga Alban Bushi.
Ndërkohë me grupin nuk do të bashkohet vetëm Kristjan Asllani javën e parë, pasi do të jetë i grumbulluar me Interin për finalen e Champions League deri më 31 maj.
Stafi kuqezi do të ketë 2 javë kohë për të përgatitur këtë takim, për shkak se është fundi i sezonit dhe nuk ka më ndeshje të tjera për tu zhvilluar. Diçka që ndikon pozitivisht, pasi lojtarët kanë kohë për tu ç’lodhur, ndërsa Sylvinho mund të punojë më shumë me ekipin në aspektin psikologjik dhe taktik. Ndërsa ajo që shqetëson është se lojtarë të rendësishëm për ekipin tonë vijnë me shumë pak minuta në dispozicion, duke mos qenë në formën e tyre më të mirë.