
Pas shtatë vitesh mungesë në kryeqytet, nata më magjike e videoklipit shqiptar u rikthye në Teatrin e Operës dhe Baletit – dhe rikthimi ishte spektakolar! Në edicionin e 22-të të “Netët e Klipit Shqiptar”, skena shkëlqeu nën tingujt e muzikës dhe dritën e reflektorëve, ndërsa emrat më të njohur të industrisë u vlerësuan për punën e tyre artistike.
Fituesi absolut i mbrëmjes? Elita 5, që me këngën “Natën e Mirë” rrëmbyen jo një, por 7 çmime, përfshirë edhe Çmimin e Madh për Klipin më të mirë në të gjithë komponentët.
Arif Ziberi, vokalisti i grupit, emocionoi publikun me fjalët e tij:
“Na keni mbështetur për mbi 35 vite, dhe për aq kohë sa të jeni ju, do të jemi edhe ne.”
Mes emrave që u ngjitën në skenë për të marrë çmime, spikatën edhe:
•Dafina Zeqiri & Vig Poppa me “Putain” (Grafika më e mirë)
•Silva Gunbardhi me “Vëlla” (Balada më e mirë)
•Orgesa Zaimi me “E premte” (Urban më i mirë)
•Marsela Çibukaj (Interpretuesja më e mirë në klip)
•Stresi, i cili rrëmbeu çmimin “Best Influencer”
Rina Januzi fitoi zemrat e publikut me “Ten Thousand Miles”, ndërsa fabula më e veçantë u shpall “Paja e nusnis” nga Fatjeta Barbullushi.
Kjo mbrëmje ishte një përkujtim i bukur se muzika dhe arti vizual nuk kanë kufij. Mes nostalgjisë, risive dhe performancave live, “Netët e Klipit Shqiptar” konfirmuan edhe një herë rëndësinë që mbajnë në identitetin kulturor shqiptar.