Partia Demokratike ka dërguar në SHBA një raport me shkeljet e pretenduara, sipas saj, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. PD përmend, në dokumentin që tanimë ndodhet në duart e kompanisë së lobimit, përfshirjen e grupeve kriminale në fushatë dhe patronazhistët. Dokumenti që mban datën 16 maj i është dërguar kompanisë së saj lobuese në Amerikë, Continental Strategy dhe regjistruar pranë Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
Në Elbasan, PD përmend Suel Çelën, një personazh i trafikut të drogës dhe kreu i një grupi kriminal.
Në Qarkun e Lezhës, PD denoncon një person të quajtur Vincent Tuku, ndërsa në Shkodër Safet dhe Behar Bajrin dhe në Vorë anëtarë të fisit Xhabafti.
“Zgjedhjet e 11 majit përfaqësojnë majën e kapjes së shtetit nga forcat kriminale dhe autokratike, me implikime të thella për të ardhmen e Shqipërisë në Evropë dhe për stabilitetin e rajonit”, thuhet në raportin e PD.
PD përmend si cenim të zgjedhjeve edhe bonusin e pensionistëve nga i cili përfituan 760 mijë të moshuar, dhënien e licencave të kanabisit, punësimet para zgjedhjeve (10 mijë të punësuar), aktivitetet publike për qëllime propagandistike si Giro d’Italia për të cilën qeveria pagoi 7 mln euro.
Gjithashtu, shqetësim për demokratët është edhe sistemi i partonazhimit.
Në raportin e PD thuhet se “sistemi i “patronazhit” i Partisë Socialiste, një kujtim i kohës së vjetër komuniste, u rivendos dhe u zgjerua në çdo qendër votimi, ku qytetarët monitoroheshin, kontrolloheshin dhe ushtroheshin presion bazuar në përkatësinë politike”. “Zyrtarë të lartë dhe nëpunës civilë ishin pjesë e kësaj skeme, duke keqpërdorur të dhënat personale dhe duke ushtruar presion mbi çdo votues që ata duhej të kontrollonin për të dhënë votat e familjes së tyre në këmbim të shërbimeve publike. Çdo nëpunës publik kishte detyrimin të siguronte 20 vota në vend dhe diasporë dhe të paraqiste numrat e kontaktit të këtyre votuesve, si dhe fotografinë e votës në ditën e zgjedhjeve”.
Gjithashtu, opozita pretendon se “në zgjedhjet e 11 majit u mobilizua edhe ish-Policia Sekrete Komuniste”. “Për herë të parë, dy zëvendësdrejtorë të Shërbimit Informativ Shtetëror mobilizuan agjentë të pensionuar nga ish-Sigurimi (policia sekrete e epokës komuniste), duke përdorur frikën dhe shtrëngimin që të kujtojnë të kaluarën totalitare të Shqipërisë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve”.
PD përmend si faktorë të humbjes së saj edhe mediat që siç pretendon opozita kontrollohen nga qeveria, por edhe censura në rrjetet sociale ku përmendet mbyllja e aplikacionit TikTok para nisjes së fushatës zgjedhore.
Konkluzionet e PD
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri u karakterizuan nga abuzime sistemike që kompromentuan legjitimitetin e tyre. Keqpërdorimi i burimeve shtetërore, i administratës publike dhe ndërhyrjet kriminale, kontrolli i medias, shtrembërimet ligjore, pengimi i aktiviteteve të opozitës dhe mosveprimi i agjencive të zbatimit të ligjit dëmtuan kolektivisht procesin demokratik.

Këto gjetje përputhen me vëzhgimet nga organet ndërkombëtare të monitorimit, përfshirë OSBE/ODIHR-in, të cilat nxorën në pah shqetësimet në lidhje me keqpërdorimin e burimeve publike, frikësimin e votuesve dhe paragjykimin e medias.
Ngritja e një hetimi ndërkombëtar për zgjedhjet.
Formimi i një qeverie teknike (kujdestare) për të votuar mbi axhendën e integrimit në BE dhe për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Liria e Medias: Promovimi i pluralizmit të medias dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes për të siguruar që qytetarët të kenë qasje në informacion të larmishëm dhe të paanshëm.
Mbikëqyrja Ndërkombëtare: Inkurajimi i angazhimit të vazhdueshëm nga organizatat ndërkombëtare për të monitoruar dhe mbështetur proceset demokratike në Shqipëri.
()