Policia greke mësyn në Burgun e Koridhalos/ Kontrollet në qelitë e shqiptarëve çojnë në izolimin e kreut të “mafias së burgjeve”, i akuzuar për rekrutim të vrasësve me pagesë

Telefona celularë, thika të improvizuara dhe një sasi e vogël narkotikësh u zbuluan në qelitë e krahut të 5-të të burgut të Korydallos nga oficerët e policisë të Departamentit të Ndjekjes së Krimeve me Zhvatje, gjatë një kontrolli të papritur që kryen në mbrëmje.

Informacionet tregojnë se një nga të kontrolluarit ndër të dënuarit, është edhe Klod Cara alias Klodian Lekocaj, emri i të cilit ishte përfshirë në aktivitete kriminale brenda dhe jashtë burgut dhe po mbahet në këtë krah të veçantë të burgut.

Sipas informacioneve, u sekuestruan dy telefona celularë, dy thika të improvizuara dhe 0.4 gramë kokainë. Në këtë rast, 2 të burgosur u arrestuan për shkelje të Ligjeve për Armët dhe Drogat, ndërsa 2 të tjerë përfshihen në dosjen e çështjes që u ngrit. Të arrestuarit u dërguan në organin kompetent të prokurorisë.

Klod Cara alias Klodian Lekocaj, 48 vjec, 10 ditë më parë u akuzua se mori peng disa gardianë të burgut Koridhalos me qëllim që të kalonte në një sektor tjetër, ndoshta për të kryer një vrasje me pagese.

Cara ose Lekocaj, një personazh kontrovers është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga media greke si kreu i së ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”. Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai në daljet publike në media e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshëm”, “të përdorur”, ndërkohë që faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke të çojnë drejt mendimit se realisht Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.

Lekocaj shpesh nëpër përgjime e dëshmi ka dalë se çuditshëm ka lidhur fije të grupeve kriminale duke u vënë ose atyre ose vetes në dispozicion vrasës me pagesë. I tillë ishte dhe rasti i 14 shtatorit 2022 kur policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala 39 vjeç dhe Andi Beqiri 23 vjeç. Ata u kapën në Athinë, pasi në automjetin e tyre u gjetën të fshehura 2 kallashnikovë dhe 1 thikë, ndërsa në banesë 1 pistoletë. Hetimi i policisë zbuloi se Çala ishte autor i vrasjes së një greku dhe tentativës së vrasjes së një shqiptari, të dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik 2022. Për vrasjen e grekut ai deklaroi se ishte urdhëruar nga Klodian Lekocaj, për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Kështu, “Klodit”, i cili në kartelat greke njihet edhe si “Luli” apo “Ilia” iu shtua atëherë edhe një akuzë tjetër pas akuzave të mëparshme për urdhërimin e vrasjeve të avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurit Arbër Bako, të të burgosurit Bardhyl Tusha, përfshirje në tentativën e vrasjes së një pakistanezi, gjobvënie ndaj ish-ministrit grek Dimitri Tsovola, ndihmë në arratisjen e të burgosurve Leonard dhe Elvis Pepa etj.

Klodi, në fakt, veç urdhërave, ka precedentë dhe si autor i drejtpërdrejtë. Fillimisht është arrestuar në 1997 për vjedhje. Në 2003 ishte arratisur nga Burgu i Volos ndërsa në 2005 në Agio Pantaleimona plagosi me armë zjarri në bark një shqiptar e më pas në të njëjtin vend në 2006 bashkë me dy shqiptarë plagosi me thikë një bashkëkombas të tijin. Në 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit, ku pasi mori leje u arratis në 2014 dhe pas disa ditësh bashkë me Arbër Bakon mori pjesë në tentativën e grabitjes me pasojë plagosjen e një egjiptiani, ndërsa në 31 tetor 2014 bashkë me Arbër Bako, Olti Dulce dhe një polak kryen një vrasje në zonën e Metaksurgios.

Përfundimisht Lekocaj u arrestua ne nëntor 2014 në Sepolia, në shoqërinë e Dhimo Mecit, një gjirokastrit i përfshirë në disa vrasje me pagesë në Greqi dhe që në momentin e kapjes ishte person në kërkim. Arrestimi i tyre erdhi pas ngjarjes së Mikrolimanos, ku Arbër Bako me një kallashnikov plagosi disa klientë të një lokali në zonë.

Klodian Lekocaj është përmendur të ketë pasur lidhje edhe me shqiptarët Elvis Bogdani dhe Ari Papa, të ekzekutuar më parë në Greqi.

Në 2019 Lekocaj u akuzua se rekrutoi një vrasës me pagesë nga Shqipëria për të ekzekutuar një pakistanez, ndërsa në mars 2023 ndaj Lekocajt u ngrit akuzë për gjobvënie 100 mijë euro ndaj një biznesmeni grek.

Në prill 2025 Lekocaj u akuzua për porositjen e atentatit ndaj shqiptarëve Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, ndodhur në 23 shtator 2024.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook