Te Egnatia për momentin janë katër futbollistë pa kontratë dhe kjo situatë duhet mbyllur sa më parë, duke qenë se do të marrin pjesë edhe në kupat e Europës.
Përveç Albano Aleksit që ka arritur marrëveshjen mbetet për t’u parë se çfarë do të bëhet me Arbin Zejnullain, Edison Ndrecën dhe Renato Malotën, protagonistë në të dy titujt kampionë të skuadrës së drejtuar nga Edlir Tetova. Mësohet se edhe për tre të tjerët janë duke u vijuar bisedimet dhe mbetet për t’u parë nëse do të arrihet në një akord apo jo.
Vetë presidenti Agim Demrozi e pranoi pak ditë më parë për “Panorama Sport” se bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm të rrogozhinasve, ndaj edhe shanset për rinovim janë të mëdha. Pjesa tjetër e futbollistëve kryesorë janë nën kontrata dhe ka pak gjasa që ndonjë prej tyre ta mbyllë para kohe. Gjithsesi, shumë dilema pritet të marrin fund para ndeshjeve në Europë, ku Tetova kërkon të ketë një skuadër sa më të kompletuar.
AFRIMET – Tek afrimet ka dalë në pah emri i parë që do të afrohet, siç është ai i Kastriot Selmanit, që do të vijë nga ekipi i Dritës në Kosovë. Mirëpo, ai nuk do të jetë i vetmi, sepse në klub duan që t’i vënë Edlir Tetovës një organikë sa më të plotë për të qenë fillimisht kompetitiv në Europë dhe më pas edhe për të përballuar kampionatin. Për këtë arsye, afrimet pritet të mbyllen sa më shpejt, që të vihen në dispozicion të trajnerit së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.