“Vështirësi të shumta, por ia kam dalë”, Gjimshiti: Bergamo shtëpia ime, kam bërë zgjedhjen e duhur

Berat Gjimshiti është një nga lojtarët shqiptarë më të mirë në arenën ndërkombëtare. Në një intervistë të dhënë së fundmi, mbrojtësi i kombëtares nuk heziton të flasë për fillimet e karrierës së tij dhe vështirësitë e shumta në të cilat ka hasur.

 

Pse zgjodhe pikërisht Italinë?

Ajo që më shtyu të zgjidhja Italinë në vend të Zvicrës ishte padyshim futbolli. Vendi juaj ka gjithmonë një traditë të madhe futbolli, shumë më të avancuar se ajo zvicerane, si në aspektin e sistemit, ashtu edhe në nivelin e zhvillimit. Ishte një zgjedhje për karrierën time, për të ndërtuar diçka të rëndësishme dhe pasur sukses në të ardhmen. Mendoj se ka qenë një vendim thelbësor për mua.

Çfarë mendimi ke për njerëzit e Bergamos?

Sigurisht që ndjehem edhe bergamask, sepse mentaliteti, në njëfarë mënyre, është shumë i ngjashëm me atë të njerëzve që kam njohur gjatë jetës. Besoj se shumica e tyre janë njerëz mjaft punëtorë, shumë të drejtë dhe që bëjnë shumë sakrifica. Kjo përputhet shumë me mua si person, ndaj ndiej thuajse sikur kjo është shtëpia ime e dytë.

A je i njëjti si në fushë, ashtu edhe jashtë saj?

Mendoj se ka ndryshime, madje shumë. Në fushë duhet të kesh dhe të tregosh një lloj lidershipi, natyrisht edhe pak agresivitet, veçanërisht në rolin tim si mbrojtës. Në jetën e përditshme nuk jam ashtu, në shtëpi jam një njeri i thjeshtë. Më pëlqen të jem me familjen, të kaloj kohë me fëmijët e mi.

Çfarë kujton nga fillimet e tua tek Atalanta?

Gjithçka ishte e re për mua. Fola me Sartorin, që ishte drejtori sportiv në atë kohë, ai më tha se kishte vendosur të më merrte në skuadër. Më foli gjithashtu për vlerat që një lojtar duhej të kishte për të luajtur në këtë klub. Nuk mund të harroj që në atë periudhë më tha edhe: Ne jemi një klub që rrit të rinjtë dhe më pas i shet te ekipet më të mëdha. Me kalimin e kohës, situata ndryshoi. Atalanta është tashmë ndër ekipet më të mira në vitet e fundit. Prandaj nuk është më saktësisht i njëjti klub, por besoj se vazhdon të vlerësojë shumë të rinjtë dhe identiteti ka mbetur i njëjtë. Motoja është që gjithmonë duhet të djersitësh. Në dhomën e zhveshjes kemi një logo ku shkruhet që duhet të japësh gjithçka, dhe që, pavarësisht rezultatit, lojtari duhet të thotë se në fushë ka dhënë shpirtin.

Cila është gjëja më e bukur që ke arritur me Atalantën?

Ëndrra më e bukur që kam jetuar këtu ka qenë fitorja e ‘Europa League’, çka është si ‘qershia mbi tortë’ dhe gjëja më e rëndësishme që kam arritur në karrierën time. Dua të më kujtojnë si djalë i thjeshtë dhe punëtor, që gjithmonë ka dhënë gjithçka për këtë fanellë dhe për këtë qytet. Shpresoj që të kenë vetëm fjalë të mira për mua, ashtu sikurse unë do të kem gjithmonë për bergamaskët, jo vetëm kur të tërhiqem, apo nëse një ditë do të largohem nga këtu. Shpresoj vetëm të kem lënë kujtime të bukura këto vite”.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook