Seanca gjyqësore për çështjen e njohur si “Dosja 5 D” është shoqëruar me tensione mes avokatëve mbrojtës. Avokatët e të pandehurve Redi Molla dhe Denion Bogdani depozituan një kërkesë për gjykim të shkurtuar dhe kërkuan që seanca të mos vijojë përpara se të merret një vendim për këtë kërkesë.
Në të njëjtën linjë, edhe avokatët e të pandehurve Ermir Beta dhe Ardian Leka kërkuan shtyrjen e seancës, duke u mbështetur në të njëjtin motivacion.
Ndryshe nga kolegët e saj, avokatja Evi Sheri, që përfaqëson Taulant Tushën, u shpreh kundër shtyrjes së seancës, duke insistuar që shqyrtimi gjyqësor të vijojë. Ky qëndrim shkaktoi përplasje dhe debat mes palëve në sallën e gjyqit.
Nga ana tjetër, prokurori Klodian Braho deklaroi se kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk përbën arsye të mjaftueshme për të shtyrë seancën.
Në përfundim, Gjykata vendosi të tërhiqet për të marrë një vendim të ndërmjetëm lidhur me kërkesën e paraqitur.