
Debati për të gjetur aktorin që do t’i marrë stafeten legjendës Daniel Craig si James Bond vazhdon të ndezë pasionet. Ndër emrat që po përfliten së fundmi është britaniku Theo James, i njohur për rolin e tij në serinë “Divergent” dhe për paraqitjen në sezonin e dytë të serialit hit “White Lotus”.
James, i cili interpretoi Cameron Sullivan, ka tërhequr vëmendjen e fansave dhe kritikëve për performancën e tij, duke u bërë një prej favoritëve të agjencive të basteve si Ladbrokes dhe Coral. Ky është një hap i rëndësishëm pasi më parë aktori kishte shmangur zërat rreth rolit, duke deklaruar në një intervistë për The Guardian se roli i Bondit është një përgjegjësi e madhe dhe ndoshta nuk është ai personi ideal.
Megjithatë, emri i tij duket se po fiton peshë në këtë garë të ngushtë për të zëvendësuar një ikonë kinematografike. Fansat presin me padurim vendimin final, ndërsa industria kinematografike mbetet në pritje të James Bond-it të ri që do ta vazhdojë traditën britanike të agjentit më të famshëm të botës.