Tenderat klientelistë të Dritan Agollit/ Adriatik Lapaj: Fondet në duart e FSHZH, indicie për favorizime që lidhen me politikën dhe korrupsion i kamufluar

Emisioni investigativ Vetting, News24

Dritan Agolli “shkeli” ligjin para fushatës 2021
Në vitin 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikonte raportin për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2020. Në raport evidentohen gjetje të cilat rëndojnë pozitat e Drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli. Nga dokumentet zbulohet se gjatë vitit të parë të pandemisë Covid-19 janë firmosur mbi 500 kontrata për investime publike me vlerë rreth 23 miliardë lekë, pas datës 15 Tetor, në shkelje të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor nga disa institucione publike. Peshën më të madhe të këtyre fondeve që janë bërë në shkelje e zë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë 10 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro.

Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, me Aktin Normativ nr. 28/2020 është rritur me 3 miliardë lekë fondi për hapjen e 21 projekteve të reja, që nuk kishin kaluar ciklin e menaxhimit të investimeve publike. Sipas auditit rezulton se buxheti për vitin 2021 për këto projekte është 6.99 miliardë lekë, ndërkohë me ligj tavani buxhetor është miratuar 3.8 miliardë lekë duke lejuar ndërmarrje përtej kufirit të miratuar.

Disa nga këto projekte janë Rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë me vlerë 818 milionë lekë, Rikualifikimi dhe sistemimi i Lumit Gjanica, Loti II, me vlerë 630 milionë lekë dhe Rikualifikimi i zonës turistike Golem në vlerën 667 milionë lekë. Plani përfundimtar rezulton në shumën 238 milion lekë, ndërkohë që tashmë janë lidhur 4 kontrata me afat 8 deri në 12 muaj në shumën 1.4 miliardë lekë në tejkalim të tavanit të viti 2021 në shumën 1.2 miliard lekë. Konkretisht projektet janë Ndërtimi i By Pass-it të Gjirokastrës, Ndërtimi i Rrugës Burrel-Sheshaj, Rruga e Vendit të Shenjtë Mali i Tomorrit, Loti 2, Rikualifikimi Urban dhe ndërtimi argjinaturës për mbrojtjen nga Vjosa.

Sipas kryetarit të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, mënyra se si përqendrohen fondet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë indicie për favorizime, që lidhen me politikën.

“Kjo ndodh pasi mund të jenë arsye që lidhen me lidhjet e shkurtra politike në qeverisjen e vendit, të cilat në vetvete mund të jenë shkak për korrupsion të kamufluar”, u shpreh për “Vetting” kreu i “Shqipëria bëhet”.

Sipas auditit evidentohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bërë pagesa ndaj kompanive në vlerën 16.5 miliardë lekë për projekte që supozohej të ishin realizuar punimet në masën 62%. Por nga verifikimet rezulton se kompanitë faktikisht kishin realizuar punimet vetëm në masën 20% ose 3.27 miliardë lekë përsa i përket çështjes së Rindërtimit.

Kujtojmë se të gjitha këto lëvizje financiare me fondet publike i paraprinë zgjedhjeve parlamentare 2021, gjë e cila u kritikua ashpër edhe nga opozita e vendit.

Indiciet për favorizime ndaj kompanive private mbështeten edhe nga dokumentet e administruara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Sipas këtyre shkresave evidentohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit në 17 raste për 9 projekte me vlerë 398 milionë lekë ka bërë parapagim të kontratave. Konkretisht FSHZH-ja me anë të shkresës nr. 1402/4, në 14 dhjetor 2022, i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kërkesë për miratimin e dhënies së pagesës paraprake. Disa nga këto  kontratat janë “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë ”Dua të luaj”, “Qendra Multifunksionale e Zhvillimit Rajonal, Rajoni 4, Faza 1”, “Ndërhyrja Rigjenerimi Urban në Fshatra me potencial Turistik”etj.

Por në këtë rast mbështetja për pagesat paraprake është miratuar nga Ministria e Financave duke përdorur si referencë  Udhëzimin nr. 9, datë 20.03.2018 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”, i ndryshuar. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto kontrata nuk rezultojnë të jenë të një rëndësie të veçantë. Në këto kushte, auditi ka deklaruar se parapagimi i kontratave është në kundërshtim me Udhëzimin nr. 9 datë 20.03.2018 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9936, date 26.08.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe gjetjet e “Vetting” zbulojnë një tablo, e cila tregon se fondet publike që përdoren nuk ndjekin një proces normal prokurimi. Madje edhe vet mosdeklarimi i pasurisë nga kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ngre pikëpyetje se si janë menaxhuar paratë publike përgjatë këtyre 6 viteve.

Më 12 dhjetor 2024, Agolli do të paraqitej në SPAK, ku për rreth dy orë do të merrej në pyetje nga Prokuroria e Posaçme. Në daljen e tij nga zyrat e SPAK-ut, kreu i FSHZH-së nuk bëri asnjë koment për arsyet e marrjes në pyetje.

Ndërkohë fshatrat si zona prioritare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit vazhdojnë të rrudhen dhe sot fshati është më i braktisur se kurrë. Kapitali për të ndihmuar bujqit dhe fermerët nuk injektohet drejtpërdrejt te ekonomia private por në rrugë që nuk kalojnë njerëz, në depo uji që nuk ka kush t’i shfrytëzoj apo në biznese që nuk kanë njerëz që ti menaxhojnë.

Investimet janë rritur nga viti në vit, por qëllimi dhe efekti i tyre nuk ka përmirësuar ekonominë e banorëve në zonat përreth. Ky investim është përqendruar te zhvillimi dhe pasurimi i një pakice. Kjo e fundit sundon dhe po zhvillohet mbi një shumicë të shtypur, e cila sipas Bankës Botërore dhe INSTAT po varfërohet nga viti në vit.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook