Zëvendës Shefja në Detyrë e Misionit Kathryn Hammond Ambasadës Amerikane, Kathryn Hammond, së bashku me Ndihmës Drejtori i ICITAP pranë Departamentit të Drejtësisë të ShBA, Stephen Fields, i dorëzuan Rektorit të Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë, Profesor Dr. Ilirjan Mandro, Certifikatën e parë të Akreditimit nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve për Standardet dhe Trajnimin në Zbatimin e Ligjit (IADLEST) si dhe Çmimin e Ekselencës, në një ceremoni të mbajtur në Akademinë e Sigurisë.
Akademia e Sigurisë është institucioni i vetëm i arsimit të lartë në fushën e sigurisë publike në Shqipëri dhe bën pjesë në strukturën e Policisë së Shtetit. Programi Ndërkombëtar i Ndihmës për Trajnimin në Hetimin Penal (ICITAP) i Departamentit Amerikan të Drejtësisë ka mbështetur Akademinë e Sigurisë që prej vitit 2005, me ekspertë që kanë vendosur themelet për një edukim dhe trajnim profesional bashkëkohor të Policisë.
Akreditimi nga IADLEST është kulmi i një procesi dyvjeçar vlerësimi, që përfundoi me vlerësimin “Ekselencë” për Akademinë e Sigurisë, me një rezultat të përgjithshëm prej 93.75 pikësh. Ky vlerësim e rendit Akademinë e Sigurisë së Shqipërisë mes katër akademive më të mira ndërkombëtare, nga 77 në mbarë botën, që kanë fituar Çmimin e Ekselencës në akreditimin e tyre të parë.
Gjatë vlerësimit nga IADLEST, Akademia iu përgjigj mbi 560 pyetjeve dhe rishikoi mbi 450 politika dhe procedura në dymbëdhjetë fusha funksionale, duke përmirësuar rregulloret, politikat, aksesin publik në faqet zyrtare të internetit, standardet e rekrutimit dhe protokollet. Ekipi i vlerësimit vlerësoi lart performancën e instruktorëve të armëve të zjarrit dhe teknikave të mbrojtjes, si dhe të stafit mbështetës mjekësor. Procesi i akreditimit gjithashtu përmirësoi metodat për vijimësinë e operacioneve, administrimin, planifikimin strategjik, kontrollin shëndetësor të studentëve dhe mbrojtjen e privatësisë. U theksuan praktikat më të mira për sigurinë e testimeve, protokollet dhe monitorimin e studentëve për të rritur besimin publik dhe transparencën.
Në ceremoni morën pjesë gjithashtu Zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Florian Sulejmani, përfaqësues të Ambasadës Amerikane nga programet e Departamentit të Drejtësisë OPDAT dhe ICITAP, Byroja INL e Departamentit të Shtetit, si dhe partnerë ndërkombëtarë.
Rektori Mandro theksoi se akreditimi do ta bëjë akademinë një partner më të fortë në rajon për të studiuar dhe luftuar krimet ndërkufitare, terrorizmin dhe trafikun e drogës. Në përmbyllje, Rektori u shpreh se suksesi i Akademisë së Sigurisë në arritjen e objektivave të saj strategjikë nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë, por i vlefshëm, duke cituar moton e Akademisë: “Themi çfarë bëjmë – dhe bëjmë çfarë themi, ndryshimi është sfida jonë.”
()