Për dy ditë me radhë, Durrësi mirëpriti 280 fëmijë nga Shqipëria, vendet e rajonit dhe Evropës, në edicionin e 28-të të festivalit ndërkombëtar të valleve dhe lojërave popullore “Luajmë dhe vallëzojmë”.
Të veshur me kostumet tradicionale, ata sollën përgjatë këtyre ditëve, një pjesë të vogël të traditave popullore me këngët dhe vallet e vendeve dhe trevave nga vinin, si Ukraina, Polonia, Mali i Zi, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut etj.
Eventi artistiko-kulturor i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës është kthyer në një traditë të bukur të përvitshme dhe shumë nga artistët e vegjël nuk janë për herë të parë pjesë e këtij festivali.
“Jam shumë e lumtur që i bashkohem sërish këtij festivali, ku çdo vit numri i grupeve pjesëmarrëse rritet. Ne vijmë nga Turqia dhe na pëlqen shumë që ndodhemi këtu”,- thotë një artiste e vogël nga Turqia.
“Kemi ardhur nga Ukraina dhe ndihemi mjaft mirë që ndodhemi këtu, sepse Shqipqria është një vend i bukur, ka det. Është hera e dytë që marr pjesë në këtë festival”.
Përveç interpretimeve në skenë, fëmijët nga 12 vende pjesëmarrëse patën mundësi të njiheshin nga afër me qytetin, madje edhe të shijonin shumë nga gatimet tradicionale të Durrësit. Sinrkon
“Gjithsej janë 12 grupe që do të përfaqësohen jo vetëm me valle, por edhe lojëra popullore duke sjellë kulturën e tyre. Sot kemi edhe ekspozitën “Turizmi në qytetin tonë”, përveç festivalit, gjithashtu edhe gatime nga shkollat e Durrësit, ku secila shkollë ka marrë përsipër të mirëpresë një prej grupeve me gatime tradicionale shqiptare”,- tha Alda Zyferi, drejtoresha e QKF Durrës.
Me larmishmërinë e kostumeve dhe origjinalitetin e valleve dhe lojërave popullore të vendeve që përfaqësonin, grupet pjesëmarrëse krijuan një atmosferë vërtet mbresëlënëse në skenë, duke dhuruar për spektatorët momente, që u duartrokitën gjatë.
Në përfundim të ditës së dytë, Kupën e Festivalit e mori grupi nga Prishtina, ndërsa fëmijëve ukrainas u shkoi çmimi special i jurisë.