Prishtina fitoi Kupën e Kosovës në futboll pasi mundi 1-0 Llapin, duke siguruar kështu Europën.
Trofeun kapitenit të Prishtinës, Drilon Islamit, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pas një ceremonie solemne në fund të ndeshjes, derisa trofeun deri aty e barti futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Valon Berisha. I pranishëm në ndeshje ishte edhe përzgjedhësi i Kombëtares, Franco Foda si dhe përfaqësues të institicioneve, derisa drejtësinë në këtë finale e ndau gjyqtari nga Gjermania, Robert Schroder, së bashku me pesë gjyqtarët tjerë gjermanë.
Golin e vetëm dhe vendimtar për Prishtinën e realizoi mesfushori Albin Krasniqi në minutën e 61-të, me një goditje të fuqishme nga zona, e cila u devijua nga mbrojtësi i Llapit, Diar Vokrri, dhe përfundoi në rrjetën e portierit kroat, Marijan Çoriq.