Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare të ndërtimit, duke u renditur mes fituesve kryesorë në një nga konkurset më prestigjioze të industrisë globale: “International Gypsum Trophy”, në ceremoninë e zhvilluar në Paris.
Në pjesëmarrjen e saj të parë në këtë event të nivelit të lartë, Shqipëria u vlerësua me çmimin e parë në kategorinë “Rezidenciale”, përmes projektit vizionar Downtown One Albania, realizuar nga Kastrati Group në bashkëpunim me Saint-Gobain.
Ky ishte edicioni i 14-të i konkursit ndërkombëtar, ku morën pjesë 85 projekte nga 29 vende të botës, duke përfshirë SHBA, Evropën, Azinë dhe Afrikën. Një juri ndërkombëtare, e përbërë nga ekspertë të njohur në ndërtim, arkitekturë dhe dizajn, vlerësoi projektet pjesëmarrëse për kreativitetin, teknologjinë, cilësinë e punimeve dhe qasjen ndaj qëndrueshmërisë.
Downtown One, ndërtesa më e lartë në Tiranë, u cilësua si një model suksesi falë dizajnit të guximshëm, teknologjive të avancuara dhe zbatimit profesional. Përfaqësuesi i Kastrati Group, Drivalb Ponde, e përshkroi këtë arritje si një moment historik: “Ishte një përvojë sfiduese, vërtet unike dhe një arritje e madhe për ne si Kastrati Group dhe për Shqipërinë në tërësi.”
Përfaqësuesja e Saint-Gobain në Shqipëri, Erisa Latifi, theksoi krenarinë për këtë bashkëpunim: “Jemi krenarë që kemi qenë pjesë e këtij projekti inovativ, që kemi kontribuar në realizimin e tij dhe që përfaqësojmë vendin tonë të vogël në një garë kaq të rëndësishme. Ka qenë një nder të jemi pjesë e këtij rrugëtimi””
Projekti u veçua edhe për faktin se është i pari rezidencial në Shqipëri me ndarje dhe struktura të brendshme të ndërtuara ekskluzivisht me sisteme moderne gipsi, duke u larguar nga teknikat tradicionale me tulla dhe llaç. Për më tepër, Downtown One është objekti i parë në vend me certifikim LEED, që garanton eficiencë energjetike dhe qëndrueshmëri mjedisore.
Përfaqësuesi i Saint-Gobain, Erens Mema, shprehu emocionet për këtë arritje: “Për ne ishte si një ëndërr, arritja e një vizioni. Kemi rrëzuar barriera sepse nuk punuam thjesht për një projekt rezidencial të zakonshëm. Duhej të tregonim më shumë se vetëm bukurinë… duhej të arrinimin përsosmërinë si dhe qëndrueshmërinë afatgjatë, sidomos në përdorimin e sistemeve të gipsit. Dhe ia dolëm! Ky është një sukses historik, jo vetëm për projektin në vetvete, por edhe për Shqipërinë, e cila për herë të parë mori pjesë në këtë garë ndërkombëtare, përkrah projekteve nga SHBA, Azia, Europa dhe Afrika!”
Ky vlerësim përbën një moment krenarie për Shqipërinë, e cila për herë të parë u përfaqësua denjësisht në një kompeticion të këtij niveli, duke shfaqur potencialin e saj në fushën e ndërtimit modern dhe inovativ. Projekti Downtown One shënon jo vetëm një triumf për Kastrati Group dhe Saint-Gobain, por edhe një moment referencë për standardet që ndërtimi shqiptar synon të arrijë në të ardhmen.
()