E hëna do të sjellë jo vetëm një listë, por ndoshta edhe një mesazh të qartë nga trajneri brazilian i Shqipërisë, Silvinjo. Përpara tij qëndrojnë dy sfida të jashtëzakonshme për nga rëndësia, intensiteti dhe ndikimi emocional: përballja ndaj Serbisë, një kombëtare ku rivaliteti i vjetër do të zërë vend mbrëmjen e 7 qershorit, dhe më pas ndeshja me Letoninë, ku fitorja është detyrim për ruajtjen e ritmit në grup.
Dhe ndërsa Shqipëria kërkon të ruajë identitetin e saj të ri, ndërtuar nën vizionin e Silvinjos, vjen një moment vendimtar: cilës filozofi do t’i qëndrojë besnik trajneri?
PROVA E FUNDIT- Në ndeshjen e fundit kundër Andorrës, që u pa më shumë si një “eksperiment” deri diku, Silvinjo vendosi të testojë një formacion ndryshe, përpos edhe nivelit modest të kundërshtarit. Armando Broja, zakonisht një qendërsulmues klasik, u vendos në krah, duke i lënë rolin e “numrit 9” Rei Manajt. Një zgjedhje që u komentua si një përpjekje për të shfrytëzuar më mirë potencialin shpërthyes dhe shpejtësinë e Brojës, në fazën e ndërtimit të lojës nga krahët.
Në anën tjetër të sulmit, ishte Arbër Hoxha i cili bëri një paraqitje pozitive duke dhënë një asist, por pyetja është nëse mjafton vetëm kaq për të luajtur titullar me Serbinë. Emra të konsoliduar në listën e Silvinjos si Jasir Asani dhe Nedim Bajrami mbetën në stol dhe ky ishte një sinjal që konkurrenca është më e hapur se kurrë më parë.
Në mesfushë, një tjetër lëvizje që tërhoqi vëmendje ishte vendosja e Julian Shehut në vend të Ylber Ramadanit. Shehu solli qetësi dhe qarkullim të topit në mesfushë, ndërsa Qazim Laçi dhe Kristjan Asllani ishin dy pikat e vazhdimësisë në atë repart: mbijetuesit e një formacioni që ndryshe nga e kaluara, dukej më shumë si një faqe e re.
PIKËPYETJET- Dilemat kryesore që përballet Silvinjo janë të thella: t’i qëndrojë modelit të ndeshjes së fundit, ku ndryshimet dhe zgjidhje të reja treguan potencial, apo të rikthejë formacionin “tip” me të cilin ndërtoi ecurinë solide në fushatën kualifikuese? Një kthim i Ramadanit, rikthimi në pozicion qendror i Brojës ose Manajt dhe, rikthimi i Asanit në krah, apo ndoshta edhe një balancim mes aventurës dhe stabilitetit?
Një listë me shumë emra është opsioni më i mundshëm dhe kjo nuk do të jetë një listë thjesht numerike, por një përzierje. Silvinjo e di se ndeshja ndaj Serbisë nuk është vetëm një takim sportiv, por ajo përfshin përmasa emocionale dhe historike, ndaj zgjedhjet e tij duhet të bëhen me kujdesin maksimal.
KONKURRENCA POZITIVE- Nuk ka dyshime, por konkurrenca në ekipin kombëtar është përmirësuar ndjeshëm. Hyrja e emrave të rinj ka bërë që formacioni të jetë i diskutueshëm, me përjashtim të mbrojtjes që është më solide. Këtu Mitaj do të jetë një rifutje, ndërsa po ashtu edhe Hysaj do të “sfidojë” Balliun për një fanellë. Silvinjo do të duhet të vlerësojë formën e momentit, por edhe përvojën në ndeshje me ngarkesë të lartë dhe presion.
Në sulm, ndoshta dilema më e madhe është përfshirja e Brojës në krah apo në qendër, ndërsa edhe mesfusha ka alternativat e saj. Për të krijuar një ide më të mirë se cilët mund të jenë 11 “luftëtarët” e 7 qershorit, do të na i krijojë lista që Silvinjo do të publikojë. Ajo që mbetet e sigurt është se çdo zgjedhje e trajnerit brazilian do të jetë e menduar deri në detajin më të vogël, sepse përballë ka jo vetëm dy kundërshtarë të ndryshëm, por edhe dy rrugë që mund të çojnë Kombëtaren drejt një kapitulli të ri.