Një incident në det të hapur u mbyll me sukses falë ndërhyrjes të Policisë Kufitare të Vlorës dhe Rojës Bregdetare.
Dy turistë të huaj mbetën të bllokuar rreth 5 milje larg bregut, përballë Gjirit të Gramës, pasi veliera me të cilën po lundronin pësoi një defekt në motor. Në kushte të vështira detare, forcat kufitare u angazhuan në një operacion shpëtimi që përfundoi me shoqërimin e sigurt të mjetit lundrues në gjirin e Portopalermos dhe nxjerrjen e dy shtetasve të huaj në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i Policisë Kufitare të Vlorës:
Gjiri i Gramës
Policia Kufitare e Vlorës dhe Roja Bregdetare i vijnë në ndihmë dy shtetasve të huaj që lundronin me një veliere, e cila kishte pësuar defekt në motor dhe kishin mbetur në det të hapur.
Gjatë ditës së sotme, DVKM Vlorë ka marrë njoftim se dy shtetas të huaj, në bordin e një mjeti lundrues që ndodhej rreth 5 milje në det të hapur, përballë Gjirit të Gramës, kishin nevojë për ndihmë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, ku mjeti lundrues i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi është nisur drejt koordinatave të dhëna, për të bërë të mundur lokalizimin dhe ndihmën ndaj dy shtetasve, të cilët rrezikoheshin edhe për shkak të dallgëve. Njëkohësisht, patrulla kufitare tokësore ka mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm velieren.
Pavarësisht kushteve të vështira, pas disa orësh ndërhyrjeje dhe në koordinim e bashkëpunim me ekuipazhin e Rojës Bregdetare, u bë e mundur shoqërimi i velieres dhe drejtimi i saj i sigurt në gjirin e Portopalermos. Dy shtetasit e huaj ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
✅ Policia Kufitare vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke garantuar sigurinë në hapësirat detare dhe ndihmën e menjëhershme në çdo situatë emergjente.