Kreu i PS Edi Rama në fjalën e tij para deputetëve të rinj dalë nga zgjedhjet e 11 majit, Rama theksoi se opozita refuzon të pranojë realitetin dhe faktet, duke i quajtur ata “humbës kronikë”.
“Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një lufte absurde me faktet dhe jetojnë në një realitet paralel ku Shqipëria që përparon është thjesht propagandë, shumica e shqiptarëve janë të blerë, kurse pothuajse të gjithë ndërkombëtarët janë të shitur,” u shpreh Rama.
Sipas tij, opozita ka ndërtuar një narrativë të çuditshme ku çdo zhvillim shihet si i orkestruar nga krimi dhe financuar nga trafiku i drogës, ndërsa çdo fitore zgjedhore e Partisë Socialiste etiketohet si e manipuluar.
“Sa më i madh të bëhet hendeku i votave mes tyre dhe nesh, aq më i madh bëhet universi i tyre paralel,” shtoi ai, duke ironizuar pretendimet për manipulime elektorale, “thasë resh të zeza”, “trena bullgarë” dhe “vargmale me kanabis që lulëzojnë me bekimin e partisë-shtet”.
Edi Rama: Të tjerë nuk duan ta pranojnë realitetin e fakteve. Kjo i ka bërë ata humbës kronikë ndërsa Shqipërinë e ka lënë pa një alternativë sfiduese të PS.
Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një lufte absurde me faktet dhe jetojnë në një realitet paralel ku Shqipëria që përparon është thjesht propagandë, shumica e shqiptarëve janë të blerë, kurse pothuajse të gjithë ndërkombëtarët janë të shitur. Vendin e drejton krimi ndërsa zhvillimin e financon droga, zgjedhjet i fitojnë ata gjithnjë e më thellë ndërsa ne i vjedhim gjithnjë e më shumë.
Sa më i madh të bëhet hendeku i votave mes tyre dhe nesh, aq më i madh bëhet universi i tyre paralel. Këto ditë ky univers është mbushur me thasë resh të zeza që derdhin ngado shiun e votave të vjedhura, trena bullgarë, vargmale me kanabis që lulëzojnë me bekimin e partisë-shtet.