KQZ certifikoi rezultatet/ Rama mbledh sot kandidatët e 11 majit, detaje nga festa e fitores së socialistëve te Pallati i Brigadave

Kryetari i PS dhe njëherazi kryeministri Edi Rama ka ftuar sot në 18:00 në ambientet e Pallatit të Brigadave, në një takim festiv, kandidatët e 11 majit. Mësohet se pjesë e festës së socialistëve do të jenë jo vetëm deputetët e zgjedhur, por edhe ata që kandiduan por nuk fituan.

Takimi vjen pasi KQZ certifikoi rezultatet e zgjedhjeve në 12 qarqet e vendit dhe vulosi fitoren e Edi Ramës i cili do të jenë në pushtet në mandatin e katërt.

Ky është takimi i dytë festiv i PS dhe Ramës, pas shpalljes së fitores në 14 maj nga sheshi “Skënderbej”. Rama iu drejtua me një fjalim mbështetësve teksa numërimi po shkonte drejt fundit dhe fitorja e socialistëve dukej e vulosur.

Sot pritet që gjithashtu kryeministri Edi Rama të mbajë një fjalë përshëndetëse ku do të vlerësojë kontributin e çdo kandidati, por gjithashtu do të theksojë nevojën për përmbushjen e zotimeve dhe rritjen e performancës në shërbim të qytetarëve.

PS siguroi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 83 mandate dhe 856 318 vota. Demokratët do të kenë në Parlamentin e ri 50 deputetë, ndërsa në 11 maj morën 529 435 vota. PSD do të ketë të njëjtin numër deputetësh si në 2021, tre mandate.

Vende në Parlamentin e ardhshëm do të ketë edhe për partitë e reja. Mundësia e Agron Shehajt siguroi 2 deputetë, ndërsa Nisma-Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit do të kenë nga 1 mandat.

()

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×