Trajneri i Kombëtares, Sylvinho doli në konferencë për shtyp sot, në prag të sfidave kualifikuese të Botërorit ndaj Serbisë dhe Letonisë. Sylvinho, ndër të tjera, u shpreh se një lojtar shqiptar aktivizohet në Argjentinë, duke lënë të kuptohet se po ndjek me interes situatën e tij.
Pavarësisht se tekniku nuk tregoi emrin e tij, mësohet se kemi të bëjmë me një mbrojtës të djathtë. Tomas Guidara po luan sezonin e parë te Huracan në Argjentinë dhe në këtë edicion ka luajtur 16 sfida.
Karriera e tij ka qenë e fokusuar totalisht në Argjentinë, teksa ka kontribuar në radhët e Belgranos dhe Velez Sarsfield.
Diçka që e bën të mundshme një ftesë të Sylvinhos për Shqipërinë ka të bëjë me faktin se ai asnjëherë më parë nuk ka luajtur për ndonjë përfaqësuese.
Nuk është hera e parë që Guidara përflitet se mund të veshë fanellën e Shqipërisë. Arbëreshi nga Argjentina shihej si alternativë e mirë edhe në kohën e Pannuccit, periudhë në të cilën Guidara ishte 22-vjeç.
(J.S/)