Ankimimi për Kukësin, KAS rrëzon 3 kërkesa të PD. Lejon marrjen e regjistrit me nënshkrime të zgjedhësve nga jashtë

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi sot të pranojë 3 nga 5 kërkesat e paraqitura nga Partia Demokratike (PD) lidhur me ankimimin për zgjedhjet parlamentare në qarkun Kukës, të mbajtura më 11 maj.

Koalicioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore kërkoi kundërshtimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve të votimit në Kukës dhe anulimin e zgjedhjeve në këtë qark, me kërkesën për përsëritjen e tyre.

Relatori i çështjes në KAS, Ilirjan Rusmali, njoftoi se kërkesa u pranua për sa i përket shqyrtimit të të dhënave të DHL për votat e diasporës në Greqi dhe raportit të audituesve teknicienë.

Nga ana tjetër, KAS refuzoi kërkesën e PD për kryqëzimin e të dhënave nga pajisjet elektronike PEI në të gjitha qendrat e votimit të Kukësit, duke argumentuar mungesën e provave që ta justifikonin këtë veprim.

Megjithatë, KAS kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të bëjë përpjekjet maksimale për të siguruar dhe vënë në dispozicion të dhënat e kërkuara sa më shpejt.

Përsa i përket regjistrit të nënshkruar personalisht nga çdo zgjedhës në diasporë, që vërteton marrjen e zarfit dhe materialeve zgjedhore, KAS pranoi kërkesën për Greqinë dhe la mundësinë që të dhëna të tjera të dorëzohen gjatë shqyrtimit nëse do të jenë në dispozicion.

Kërkesa për kopje të regjistrave të posaçëm për çdo qendër votimi u refuzua, pasi nuk u konsiderua relevante për pretendimet kryesore të PD-së. Gjithashtu, KAS theksoi se procesverbalet janë dokumente që ligjërisht i ka në posedim ankuesi dhe nuk ka nevojë për rivënien e tyre në dispozicion.

Seanca e KAS u ndërpre dhe do të rifillojë më 30 maj në orën 10:00, ku do të shqyrtohen provat e pranuara.

()

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×