Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi sot në mbledhjen e saj të pranojë 3 nga 5 kërkesat e PD në lidhje me ankimimin e rezultatit të votimeve të 11 majit në qarkun e Kukësit.
Relatori i çështjes, anëtari i Komisionit, Ilirjan Rusmali tha se KAS vendosi të pranojë kërkesën e PD si prova për përsëritjen e zgjedhjeve në Kukës për studimin e të dhënave të DHL (për votat e Greqisë) si edhe raportin e audituesve teknicienë.
Nga ana tjetër KAS vendosi që të rrëzojë kërkesën për kryqëzimin e shenjave të gishtave nga pajisjet PEI me votuesit.
Po ashtu nuk u pranua kërkesa për vënien në dispozicion të regjistrave të posaçëm të çdo qendre votimi dhe as procesverbalet e mbylljes së QV.
Nga ana e saj, organi vendimmarrës i KQZ me përfaqësuesit e tij u shpreh se vendimi për tabelat e rezultateve u mor mbi bazën e të dhënave dhe moskonstatimit të parregullsive serioze që deformonin rezultatin.
Sipas tyre, edhe gjatë procesit të votimit nuk ka pasur parregullsi për të kërkuar pavlefshmëri zgjedhjesh dhe as gjatë procesit të dorëzimit të kutive, numërimit dhe tabelave përfundimtare.
Seanca që nisi që prej orën 16: 30 u ndërpre, pasi KAS do të marrë provat e pranuara, dhe do të zhvillohet sërish më 30 maj, ora 10.