Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi punimet në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, ku aktualisht janë realizuar mbi 85% e punimeve në të tre lotet.
Në fjalën e saj, Balluku deklaroi se pavarësisht vështirësive gjeologjike, po punohet me intensitet të shtuar për përmbylljen e kësaj vepre të shumëpritur brenda verës së këtij viti.
“Kantieri po shkon shumë mirë. Këtu jemi në lartësitë e zonës dhe në dimër kantieri nuk funksionon, për shkak të motit.
Madje edhe tani në maj, këtu është ftohtë. Ndaj aktualisht në këtë investim po punohet me dy turne dhe me angazhim maksimal me synim bërjen operative të kësaj rruge brenda këtij viti”, tha Balluku.
Ajo kërkoi nga kontraktorët që, krahas punës intensive në kantierin e aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, për vijueshmërinë e realizimit të kësaj vepre brenda afateve, paralelisht vëmendje e shtuar t’i kushtohet edhe kushteve të sigurisë në punë.
“Me mbikëqyrjen e supervizorëve të huaj dhe me angazhimin në punë me dy turne , ne synojmë ta mbyllim këtë vepër të rrugës Qukës-Qafë Plloçë dhe ta dorëzojmë të përfunduar atë brenda fundit të verës së këtij viti”, tha Balluku.
Sipas saj, aktualisht në këtë aks janë 3 kontraktorë që punojnë dhe janë të angazhuar 150 punonjës dhe mbi 90 mjete të renda.
Ky projekt përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.
()