“Final Four i ka arritur pritshmëritë”, presidenti Duka: Numri i tifozëve është dyfishi i 36 javëve të kampionatit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur për disa tematika në futbollin shqiptar. Numri 1 i federatës u pyet edhe për Final Four nga “RTSH”, ndërsa tha se ka arritur pritshmëritë për qëllimin që është krijuar. Kjo edhe për shkak se numri i tifozëve në ndeshjet e Final Four ka qenë dyfishi i 36 javëve të kampionatit.

Postimi i FSHF-së:

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për RTSH me gazetarin Kristo Thoma, ka trajtuar çështje të ndryshme që lidhen me futbollin shqiptar.

Ai ka folur për Kampionatin Europian U-17 që po zhvillohet në Shqipëri, për “Abissnet Superiore” dhe fazën “Final 4”, si dhe për dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës.

Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit Duka për RTSH:

Në Shqipëri po zhvillohet Kampionati Europian Under 17. Sa i kënaqur jeni me këtë kampionat, që po zhvillohet në vendin tonë? -Jemi në mesin e kampionatit. Është një ngjarje e rëndësishme për futbollin shqiptar. Është një ngjarje e rëndësishme për futbollin në përgjithësi. Është një nga kompeticionet më të rëndësishme që organizon institucioni europian i futbollit. Nuk do të përbënte ndonjë lajm nëse ky kampionat do të zhvillohej në Angli, Francë apo Gjermani, por për një vend si Shqipëria, apo vende të të njëjtit nivel, përbën një lajm. Është një lajm historik, sepse për herë të parë organizohet një turne final në Shqipëri.

Duke qenë kaq historik, kaq i rëndësishëm ka pasur edhe vëmendjen maksimale tonën për ta bërë dhe për ta organizuar atë sa më mirë, në kushte sa më të mira. Për t’iu ofruar komoditetin maksimal ekipeve që vizitojnë Shqipërinë, kushtet maksimale të stërvitshmërisë dhe të miqësisë që ne ofrojmë në përgjithësi dhe besoj se ia kemi arritur. Kam marrë opinionet e ekipeve pjesëmarrëse dhe përshtypjet kanë qenë shumë pozitive për gjithçka që kanë përjetuar deri tani. Pjesën sportive, nëse kanë pasur ose jo rezultate pozitive e kanë në dorë vetë ekipet. Ajo çka ne kemi bërë për ta përgatitur këtë europian ka qenë në nivele vërtet të larta, më shumë se sa bëhet për një kompeticion të nivelit të tillë në vende të tjera. Jemi vërtet të kënaqur për çfarë kemi arritur jemi të kënaqur për promocionin që i bëjmë futbollit në Shqipëri dhe të ardhmes së tij për të pasur sa më shumë fëmijë rreth lojës së futbollit.

Mes finales së Conference League dhe Europianit U-21 vjen ky event. Cili është detaji sekret i ardhjes së këtyre kompeticioneve në vendin tonë? – Duhet të tregosh se di të organizosh kompeticione të tilla. Duhet të kesh kushte për të organizuar. Çdo kompeticion ka nivelin e vet të kërkesave dhe ne kemi marrë maksimumin e asaj që mund të plotësojmë si kritere. Infrastruktura në futbollin shqiptar ka ndryshuar, sepse nëse nuk do kishim infrastrukturën e nevojshme do ishte e pamundur që të merrje evente te tilla. Niveli organizativ i FSHF-së ka ndryshuar, ka fituar goxha eksperiencë. Ne kemi organizuar çdo vit turne, mini-turne kualifikues europian, që mbase nuk duken kaq shumë. Por kemi fituar eksperiencën për të kërkuar Kampionat Euriopian U17, U21 apo finalen e Conference League. Ky është niveli maksimal që mund të organizojmë tani. Do tentojmë për më shumë, ndoshta ndonjë botëror moshash në bashkëpunim me të tjerët.

Si e fitojmë ne atë sprintin final me të tjerët për të organizuar evente të tilla? – E para duhet ta synosh. Dikur ne as nuk e mendonim diçka të tillë. Ka vende që nuk e mendojnë dhe vende të tjera që nuk duan ti hapin vetes dhimbje kot. Më mirë pa këtë. Ndonjëherë kur mendon polemikat që ka krijuar organizimi i Kampionatit U-21, thua kur ishim pa të nuk kishim asnjë diskutim. Ishim burra akoma më të mirë. Por sa më shumë punë të bësh, aq më shumë diskutime dhe polemika ka. Ne tentojmë që të bëjmë sa më shumë. Çelësi janë kushtet, eksperienca organizative, padyshim edhe besimi apo marrëdhënia që krijon Federata e Futbollit në organizmat ndërkombëtarë.

Euro U17 një test i rëndësishëm edhe për FSHF-në? – Një vetë testim për ne dhe një test për UEFA-n, për të parë se sa mirë ne mund ta bëjmë këtë punë. Eksperiencë e padiskutueshme për të qenë gati në një kompeticion të një niveli akoma më të lartë siç është Europiani Under 21, që jam shumë i bindur që do ta bëjmë mirë. E meta genetike që kemi ne është që nuk mund ta programojmë shumë mirë dhe ta bëjmë shumë kohë më para. Deri në ditën e fundit, por e bëjmë në ditën e fundit.

Investimet në infrastrukturë do të mbeten në futbollin shqiptar. Shumë fusha janë investuar në prag të Euro U17? – Për përgatitjen e këtij europian ka një punë të jashtëzakonshme, ndoshta të padukshme. Të gjitha skuadrat që vijnë duhet të stërviten dhe për të përgatitur ato fushat e stërvitjes, që do ti përdorin ata 15 ditë ne kemi punuar 1 vit. Për ti sjellë në nivele të kënaqshme, sepse duhen fusha natyrale. Po të shohësh sot stadiumin e Luzit, një nga stadiumet ku stërviten ekipet, është në kushte perfektë. Njësoj si Arena Kombëtare apo gjithë stadiumet e tjera, Në Lushnjë, në Shijak, në Durrës, Selman Stërmasi, Skënder Halili, fusha të Shtëpia e Futbollit. Për të gjitha këto është bërë një punë e jashtëzakonshme. Por edhe stadiumet, përveç Arenës Kombëtare që nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje, Elbasani ka pasur nevojë për ndërhyje, në Durrës akoma më shumë, sepse është një stadium i amortizuar dhe mendohet se mund të prishet.

Egnatia Arena është një stadium i ndërtuar thuajse nga e para me kontributin e klubit dhe FSHF-së. Është bërë një punë e madhe. Është një armatë e madhe njerëzish, rreth 100 njerëz që punojnë për organizmin, apo përgatitjen e Europianit. Me më shumë se 200 vullnetarë. Kemi pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme në stadiume, numri mesatar i tifozëve ka qenë i lartë dhe mendoj që do të rritet akoma më shumë. Objektivi ynë është që në finale të kemi një stadium të mbushur. Numri mesatar deri tani është 4 mijë e 500 spektator, numër rekord për nga numri i popullsisë. Por jo rekord total, pasi rekordin e mban Gjermania me 5 mijë e 500 disa vite më parë. Volum shumë i madh pune, por edhe rezultati është pozitiv. Kampionati ka arritur në një lloj mënyre qëllimin e tij, për ta promovuar akoma më shumë futbollin. Për ti dhënë edhe një kënaqësi njerëzve që e shijojnë atë, kemi parë edhe ndeshje vërtet të bukura. Unë kam shijuar disa ndeshje të bukura, sa ndonjëherë më duket sikur luajnë ekipet A.

A mund të bëhej më herët rikonstruksioni i Selman Stermasit që Tirana të luante në Tiranë? – Padyshim që mund të bëhej. Nuk është një gjë e vështirë, por duhet të impenjohesh. Dhe klubi duhej të impenjohej që ta bënte këtë gjë. Në kemi bërë këto 10 fusha për kampionatin europian dhe për të vazhduar për të mos i dëmtuar ato kemi bërë investime në pajisje dhe makineri të cilat do t’ia dhurojmë klubeve që të vazhdojnë ti mbajnë në të njëjtin nivel. Uroj që të mos ndodhë që pas europianit klubet t’i keqpërdorin dhe të prishen, sepse bari natyral. Fusha me bar natyral duhet mirëmbajtur. Sikur dy ditë ta nënvlerësosh fusha vdes. Uroj që ne të kemi bërë maksimumin për t’i sensibilizuar klubet, edhe bashkitë që i zotërojnë këto asete që ti mirëmbajnë.

Arsyet që kanë sjellë shumë tifozë në stadium për ndeshjet e Euro U17? – Gjëja kryesore ka qenë organizimi. Promovimi i Kampionatit Europian jo vetëm nga Federata, por ne kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë me të 4 bashkitë ku luhen ndeshjet. Çuditërisht me Rrogozhinën bashkëpunimi ka qenë perfekt. Vendet e vogla kanë më shumë dëshirë për këto evente. Tirana ka shumë gjëra të tjera për të bërë. Me ministrinë e Arsimit kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë për të sjellë nxënës në stadium. Dhe padyshim edhe rëndësia dhe niveli i mirë i kampionati europian.

Çfarë mund të bëjmë të gjithë që të shtohet numri i tifozëve në stadium edhe në ndeshjet e kampionatit? – Është kompleks kthimi i tifozëve në stadium. Janë disa faktorë ku duhet të punosh për ti përmirësuar. Sipas meje është i fundit niveli i futbollit dhe e argumentoj me fakte që në kategorinë e 5-të gjermane stadiumi është plot, ndonëse niveli është më i ulët se kampionati ynë. Njerëzit shkojnë në stadium sepse argëtohen ato 2 orë, kanë një infrastrukturë të mirë, që është përmirësuar edhe në Shqipëri. Kanë edhe një ambient kulturor më të mirë, klubet janë më të organizuar. Janë skuadra fshatrash në Gjermani që e kanë stadiumin plot. E kanë promovuar më mirë. Ajo që në duhet të bëjmë është ta promovojmë pozitivisht, të kemi sa më pak negativitet, sepse është një produkt. Nëse thua që produkti im nuk është i shëndetshëm, nuk është i mirë, atëherë nuk ta merr njeri.

Kur thua negativitete që nuk janë të vërteta e dëmton futbollin. Kur ne dëmtojmë degën ku jemi ulur vetë është e vështirë të rrish. Humbet një ndeshje futbolli dhe hidhet vrer kundër lojës, kundërshtarit, arbitrit. Pse i fton njerëzit në stadium, kur këto që thuhen nuk janë të vërteta. Futbolli ka shumë emocion, nuk është një gjë e lehtë, që të menaxhosh emocionet. Nuk është e lehtë që të jesh i ftohtë pasi nuk e ke marrë një rezultat dhe ta pranosh atë. Duhet të kesh një nivel të kënaqshëm. Duhet ti menaxhosh emocionet. Prandaj marr Gjermaninë si shembull. Nuk ndodh që pasi ka humbur ndeshjen të thotë trajneri nuk vij në konferencë pasi kam humbur ndeshjen. Organizimi i klubit, promocioni i futbollit, kushtet infrastrukturore dhe mesazhet që ne japim, ndikojnë në numrin e tifozëve në stadium.

Sa i kënaqur jeni me sezonin që sapo u mbyll në kampionatin tonë? – E veçanta që ka kampionati shqiptar në 10 vitet e fundit është gara. Nuk ka ndeshje lehtësisht të parashikueshme. Nuk ka rëndësi vendi në renditje apo faktori fushë. Kjo është gjëja më e bukur. Edhe ky kampionat deri në ditën e fundit ka patur garë, emocion. Diheshin 3 skuadrat që do të luanin në Final 4, por të gjitha verdiktet e tjera ishin të papërcaktura. Por edhe Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo luftonin për pozicionin në renditje. Një garë deri në ditën e fundit me emocion. Me një nivel akoma më të mirë dhe të kënaqshëm. Për mua edhe i organizuar më mirë, qoftë edhe nga klubet. Gjë që më jep shpresë dhe besim që do të kemi organizime akoma më të mira dhe pse jo edhe spektatorë më shumë. Ne kemi filluar një projekt si federatë me klubet që t’i asistojmë që ta promovojnë më mirë, organizojnë dhe marketojnë më mirë, që të ketë më shumë prani tifozësh në stadium. Dhe unë besoj që do të arrijmë rezultate pozitive dhe për këtë.

Një shqetësim apo një kritikë për këtë kampionat? Çfarë duhet përmirësuar menjëherë? – Futbolli është një lojë, që i ka kritikat brenda. Duhet të shërbejnë për tu zhvilluar. Nuk mund të them një fenomen të veçantë, që duhet luftuar. Po flasim për Kategorinë Superiore, klubet duhet të kuptojnë që ky është produkti i tyre dhe duhet të punojnë që ta zhvillojnë sa më shumë këtë produkt.

Final 4 nuk i përmbushi pritshmëritë për të cilat u krijua. Si mendoni? – Final 4 është një kompeticion më vete. Është një kompeticion që ka pasur më shumë tifozë në stadium. Numri në ndeshjet e final 4 është dyfishi i 36 javëve të kampionatit. Ka pasur garë të bukur. Për mua Final 4 i ka arritur pristshmëritë për qëllimin që është krijuar. Ka sjellë një emocion më shumë. Futbolli ndahet për gjëra të vogla. Mund ta humbësh një kompeticion ose ta fitosh me një penallti. Ky kompeticion është ndërtuar për të sjellë më shumë emocion, suspancë. Padyshim që ka kritika. Sa kam unë eksperiencë në futboll, të gjitha skemat kritikohen dhe realisht çdo skemë ka pika të mira dhe të këqija.

Sezonin e ardhshëm do të ketë prapë Final 4? – Ne do të shpallim të gjithë karakteristikat dhe çfarë ka prodhuar final 4 në këto 2 vite. Në këndvështrimin tim duhet t’i japësh kohë çdo projekti dhe më pas të vendosësh nëse është i suksesshëm apo jo. Është një produkt i ri, është një produket që duhet përkrahur. Një produkt që iu bën mirë klubeve. Në fund të fundit prodhon edhe aq pak financa shumë të dëshiruara për klubet tona të futbollit, që vuajnë realisht nga pikëpamja financiare. Nëse vetë klubet nuk e duan më këtë skemë, kjo nuk është një favor për federatën, është një punë akoma më shumë federatën si organizator. Është një gjë që mbetet për t’u parë dhe për t’u diskutuar.

Si tifozi numër 1 i ngjyrave kuqezi do të donit që të kishim lojtarë nga kampionati shqiptar në Euro U17? – Në fakt e kemi diskutuar këtë edhe në Komitetin Ekzekutiv në Federatë. Mendoj që duhet të kemi një politikë, që të kemi një kërkesë të domosdoshme që lojtarë lokalë të jenë në ekipet kombëtare dhe këtë do të implementojmë në të ardhmen. Le ta pranojmë mbase edhe pas cedimit në rezultat, që të kenë më shumë motiv futbollistët dhe lojtarët që luajnë në kampionatin kombëtar. Mund të them që është një vërejte me vend.

Po në ekipin kombëtar mund të kemi më shumë lojtarë nga kampionati ynë? – E njëjta gjë. Padyshim që duhet të kemi. Padyshim që duhet të afrohen. Të gjithë lojtarët që luajnë në të gjitha moshat, duket të kenë një motiv më shumë për të luajtur dhe ne duhet t’ua japim.

E pabesueshme kur shkuan në Europian. Tani ëndrra quhet Botëror. A mund të shkojë Shqipëria në Botëror? – Unë jam gjithmonë optimist. Kam qenë optimist edhe kur ënddra jonë utopike dukej demagogji, por ne shkuam në Europian. Nëse nuk e ke dëshirë, ëndërr, objektiv diçka nuk e arrin. Ne arritëm të shkojmë në Europian dhe tani kemi një dëshirë, ëndërr, objektiv kualifikim në Botëror. Një objektiv i vështirë, por jo i pamundur. Futbolli kështu është. Duhet të bashkohen shumë gjëra dhe në fund fare të kesh edhe pak fat. Nëse kualifikueset e fundit për Kampionatin Europian do të ishin për Kupën e Botës do të ishim kualifikuar sepse rregullat janë njësoj. Tani në këtë kompeticion shorti nuk na ka favorizuar (nuk menduam që do dilnim të parët me Poloninë dhe Çekinë). Me Anglinë është nivel i lartë vështirësie, për të mos thënë i pamundur. Kemi mundësitë reale në letër për të luftuar për vendin e dytë. Në fushë do ta shohim, kundërshtari kryesor për këtë vend të dytë është Serbia. Një ekip me përbërje shumë të mirë, me lojtarë me kualitet, por nuk mendoj se është skuadër më e mirë se ne.

I kemi shanset reale për të luftuar për këtë, kjo nuk do të thotë që 1 apo të dyja ndeshjet do ti fitojmë ne. Por do të luftojmë për t’i fituar dhe kjo është një mundësi për të shkuar në Play Off, që vazhdon të jetë një luftë e vështirë. Ne duhet të tentojmë, çunat duhet të kenë besim. Kemi një skuadër të mirë, me çuna të mirë dhe do të luftojmë. Do të luajmë në fushën tonë më 7 qershor, në një stadium të mbushur, që uroj që të kthehet në një energji pozitive për skuadrën, mos të jetë një presion që do ta vendosë në trysni ekipin tonë kombëtar. Kemi nevojë për energji pozitive dhe jo për trysni, që skuadra ta përjetojë atë ndeshje si një ndeshje futbolli, me objektivin për të shkuar në botëror.

Si e parashikoni ndeshjen me Serbinë? – Parashikimi im miksohet me dëshirën time që ta fitojmë atë ndeshje. Dhe dua shumë që ta fitojmë atë ndeshje, kundër një kundërshtari direkt për vendin e dytë. Një sukses ne na le të hapur mundësinë për të vazhduar, për të luftuar për të zënë vendin e dytë. Edhe nëse fitojmë me Serbinë nuk do të thotë që u renditëm në vendin e dytë, por e lë të hapur mundësinë. Kundërshtarët e tjerë qoftë Andorra qoftë Letonia mund të hapin probleme. Jam shumë i sigurtë që njëri nga ne do të bëj hap fals me ato. Anglia vështirë, por ne ose Serbia po. Uroj që mos ta bëjmë ne hapin fals. Ta bëjnë serbët. Në përballjet direkt të kemi një bilanc pozitiv me ta dhe të realizojmë këtë objektiv, që të jemi në vendin e dytë.

Një ndeshje që duhet fituar edhe në fushë edhe në tribuna? – Kjo është bashkë. Tribuna dhe fusha janë bashkë. Të gjithë ne jemi bashkë, duhet të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mos krijojmë trysni dhe ambient konfliktual ndaj skuadrës. Të prodhojmë energji pozitive, ta mbështesim skuadrën dhe të fitojmë sportivisht. Nëse fiton ndeshjen i ke realizuar të gjithë pritshmëritë e tua. Nëse vë të gjitha gjërat e tjera para ndeshjes, do të rrëzohen edhe këto.

Çmimet e larta të biletave në ndeshjet e kombëtares? – Kombëtarja rritet, shpenzimet rriten, ekonomia ka ndryshuar. Ne jemi një federatë që organizojmë gjithë futbollin shqiptar dhe kombëtaren vetëm me financat tona. Nuk kemi ndihmë nga askush. Të ardhurat tona janë vetëm të drejta nga transmetimet, të drejta nga marketingu dhe të drejta nga biletat. Detyrimisht këtë lloj produkti detyrohesh ta monetizosh që ta zhvillosh akoma më shumë. Por gjithsesi çmimet nuk janë të papranueshme. Shpesh herë abuzohet nga dashakeqës mediatik, ose dashakeqës nga fusha të tjera. Që konsiderojnë çmim të rritur të biletave apo biletat VIP. Biletat VIP janë shumë pak dhe janë për sponsor, nuk janë për tu tregtuar. Në eksperiencën europiane Madje nuk deklarohen fare si çmime. Ndërsa çmimet e biletave për tifozët 2000 apo 3000 lekë nuk mund të konsiderohen shumë të larta.

Një mesazh për tifozët? – Ta përjetojmë si ndeshje futbolli. Të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mbështesim maksimalisht njëri tjetrin. Të mbështesim skuadrën që të shkojë drejt rezultatit. Të mendojmë vetëm për skuadrën dhe për sportin, jo për gjëra të tjera.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×