Ngjarja e rëndë helmimit të 70 fëmijëve në një kopsht në Gramsh nga ushqimi i kontaminuar me salmonelë nxori në pah pasigurinë që shqiptarët kanë tek ajo çfarë hanë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në një intervistë për gazetën “Panorama” flet pikërisht për rreziqet që i kanosen shëndetit publik, mungesën e transparencës dhe nevojën e rishikimit të plotë të sistemit të sigurisë ushqimore në vend. Sipas Panaritit, në themel të tij duhet të jetë parimi evropian “nga ferma në tavolinë”. Vetëm ky princip e bën të mundur gjurmimin dhe parandalimin. Në krye të sistemit të sigurisë ushqimore dhe instituteve të varësisë duhet të emërohen ajka e profesionisteve të fushës.
“Vetëm kjo – shprehet Edmond Panariti – do të na mbrojë nga kërcënimi që vjen prej ushqimit”, duke treguar produktet me rrezikshmërinë më të lartë.
Profesor Panariti, si e gjykoni helmimin e dyshuar me salmonelë te fëmijët e një kopshti në Gramsh?
Helmimi i fëmijëve të një kopshti në Gramsh përbën një ngjarje të rëndë. Është dramatike të shohësh papritur fëmijën tënd të shfaqë shenja të helmimit, me të vjella, diarre, krampe të zorrëve, dehidratim e të tjera, pasi ia ke besuar fëmijën një institucioni, i cili mban përgjegjësi për shëndetin dhe edukimin e tyre. Është po aq e trishtë dhe e nxituar të shprehesh për shkaktarin e këtij helmimi, pa përmbyllur plotësisht ciklin e analizave laboratorike nga laboratorët përkatës. Mjerisht, pa pasur ende një përgjigje laboratorike zyrtare të konfirmuar nga disa burime dhe me kryqëzim të të dhënave media e kanë një emër.
Sërish kemi të bëjmë me salmonelën, shfaqjes së këtij bakteri në prodhimet me origjinë shtazore. Pse ky rast i përsëritur?
Emri “Salmonella” është kthyer gati si një mit në shkallë vendi pas rasteve të përsëritura të shfaqjes së tij në prodhimet me origjinë shtazore. Padyshim që nuk mund të përjashtohet që ky bakter mund të jetë edhe shkak i helmimit. Megjithatë, nëse vrojtojmë me kujdes rastet e shfaqura të helmimeve në shkallë botërore me të njëjtat shenja dhe rrethana të helmit të fëmijëve tanë në Gramsh, salmonela renditet e katërta për nga shpeshtësia e rasteve. Vendet e para në helmimet e kësaj natyre i zënë gastroenteritet virale të shkaktuar nga noroviruset dhe rotaviruset. Në vijim renditen gastroenteritet bakteriale të kryesuara nga kampilobakteret, të cilat pasohen nga salmonelat. Prandaj duhen pritur rezultatet komplekse të analizave virale dhe bakteriale, të cilat janë edhe baza e mjekimit dhe e parandalimit.
Çfarë pasojash mund të kishte një konstatim i gabuar i shkakut të këtij helmimi te fëmijët?
Pasoja më e drejtpërdrejtë do të ishte mjekimi i panevojshëm dhe i gabuar i fëmijëve. Pasoja tjetër do të ishte gjurmimi i gabuar i burimit të infeksionit, duke anashkaluar burimin e vërtetë dhe duke paraqitur një burim të rremë të helmimit. Për t’ju dhënë një shembull, nëse helmimi i fëmijëve në Gramsh do të ishte më origjinë virale, por shkaku do të përcaktohej gabimisht si bakterial (nga salmonella etj.), skema e mjekimit bazal të fëmijëve me antibiotikë që do të pasonte do të ishte e gabuar.
Përcaktimi i gabuar i shkakut dhe i shkaktarit gjatë një hetimi të helmimit do të çonte edhe në një gjurmim të gabuar të burimit të shkakut. Pasoja do të ishte bllokim i një burimi të gabuar të helmimit dhe lënia e lirë e burimit të vërtetë të helmimit duke vazhduar të jetë kërcënues për shëndetin. Prandaj këto helmime serioze akute janë prova e zjarrit për sistemin e sigurisë ushqimore të vendit. Zbulimi i saktë i shkakut të tyre është kritik dhe jetë shpëtues. Nuk mjaftojnë vetëm marrja e mostrave të ushqimit dhe të ujit, por duhen analizuar edhe përmbajtjet e traktit intestinal të fëmijëve. Duhet analizuar me shumë kujdes dhe vëmendje kuadri i shenjave klinike të helmimit, koha dhe mënyra e shfaqjes. Me pas, një grup i përbërë profesionistësh të fushave duhet të thotë fjalën përfundimtare, e cila do të ishte edhe themeli i parandalimit dhe i mjekimit. Kjo do t’u vinte përfundimisht edhe kapak spekulimeve dhe hamendjeve të pabaza. Nëse sistemi i sigurisë së shëndetit të popullsisë dështon në zbulimin e shkakut, ne të gjithë dhe jo vetëm fëmijët jemi në mëshirë të fatit.
Cilat janë ndër kërcënimet shëndetësore më të mëdha dhe më të shpeshta me prejardhje nga ushqimi në Shqipëri?
Megjithëse është e vështirë të renditen për nga shkalla e rrezikut dhe shpeshtësia e shfaqjes, po përmend disa prej tyre. Së pari, mbetjet e insekticideve në fruta dhe perime, veçanërisht ato të ndaluara nga BE. Mungesa e espektimit të afateve të ndalesave në hedhjen në treg dhe në konsum pas spërkatjeve gjatë procesit të prodhimit rrezikon seriozisht shëndetin e konsumatorit. Analizat për praninë e insekticideve duhen kryer që në fermë, që në pikën e grumbullimit. Kryerja e tyre kur produkti ka kaluar në treg është e vonuar dhe jo parandaluese. Së dyti, prania e toksinave të myqeve në ushqime dhe në veçanti në qumësht. Prania e aflatoksinave në qumësht është një rrezik real. Këto janë lëndë të rrezikshme për shëndetin me pasoja të mundshme kancerogjene. Shkaku është ushqimi i bagëtive me silazh, njomishte dhe bar të mykur. Për sa kohë nuk mbështetet blegtoria me ndërtim të siloseve, hangareve dhe magazinave të përshtatshme për ruajtjen e foragjereve, silazhit, koncentrateve, atëherë ky do të vazhdojë të jetë një rrezik real i pranishëm.
Një tjetër rrezik serioz i ndotjes së ushqimit është edhe prania e mbetjeve të antibiotikeve në mish, qumësht dhe vezë. Përdorimi i pa kriter i tyre në mjekimet e kafshëve dhe shpendëve të prodhimit bën që këto mbetje të antibiotikeve të kalojnë në mish, vezë dhe qumështi dhe nëpërmjet tyre edhe në organizimin tonë. Për pasojë, në mënyrë të pavullnetshme dhe të pandërgjegjshme zhvillojmë dukurinë e rezistencës ndaj antibiotikeve duke na lënë të zbuluar në luftën kundër infeksioneve bakteriale kur ato të shfaqen. Një tjetër rrezik me prejardhje nga ushqimet janë edhe përdorimi abuziv dhe shpeshherë i ndaluar i ngjyruesve, aromatizuesve dhe konservuesve ushqimore. Rreth 60 për qind e prodhimeve të mishit, kryesisht produkteve të përpunuara, kanë nivele të larta mbi normë të këtyre lëndëve duke paraqitur rrezik për shëndetin. Po kështu, pjesa dërmuese e erëzave ushqimore me prejardhje nga lindja ka ngjyrues jashtë standardeve të lejuara. Moskryerja e analizave dhe hedhja e tyre në treg pa to është një kërcënim serioz.
Për çfarë ka nevojë emergjente sistemi i sigurisë ushqimore në vend?
Sistemi i sigurisë ushqimore në Shqipëri ka nevojë për një rishikim të plotë. Në themel të tij duhet të jetë parimi evropian “nga ferma në tavolinë”. Vetëm ky princip e bën të mundur gjurmimin dhe parandalimin. Në krye të sistemit të sigurisë Ushqimore dhe instituteve të varësisë duhet të emërohen ajka e profesionisteve të fushës. Vetëm kjo do të na mbrojë nga kërcënimi që vjen nga ushqimi.
Pse mungon kontrolli nga institucionet dhe si mund të mbrohemi nga kërcënimi që na vjen nga ushqimi?
Largimi i profesionistëve dhe zëvendësimi i tyre me personel të pakualifikuar, shpesh partiak, është baza e paaftësisë së institucioneve dhe laboratorëve në zbulimin dhe parandalimin e helmimeve. Ulja e ndjeshme e fondeve për sigurinë e ushqimit kanë bërë që laboratorët të kenë mangësi të mëdha në reagente dhe kimikate të nevojshme për të kryer analizat. Rritja me tri herë e buxhetit për sigurinë ushqimore është domosdoshmëri. Emërimi i kimisteve dhe mikrobiologëve me përvojë dhe të kualifikuar në institucionet kombëtare të sigurisë ushqimore është një domosdoshmëri.
/Gazeta Panorama