Kreu i PD, Sali Berisha, pati një takim me këshilltaren e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë për Ballkanin Perëndimor, të cilën e informoi për situatën aktuale në Shqipëri, sidomos atë të zgjedhjeve.
“Prita në një takim miqësor këshilltaren e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë për Ballkanin Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Zonjën Emine Lekaj Prljaskaj, ish-deputete me 3 mandate në Kuvendin e Republikës së Kroacisë, duke përfaqësuar komunitetin shqiptar dhe pakicat kombëtare të tjera. Ajo ka qenë gjithashtu udhëheqëse e Grupit të Miqësisë Kroaci–Shqipëri dhe ka marrë pjesë aktive në promovimin e integrimit të shqiptarëve në shoqërinë kroate.
Në këtë takim të hapur dhe miqësor shpreha vlerësimin tim për kontributin e çmuar të Znj. Lekaj Prljaskaj në përfaqësimin dinjitoz të të drejtave të komunitetit shqiptar në Kroaci dhe në afrimin e bashkëpunimin midis dy vendeve tona mike, si dhe e njoha atë me zhvillimet e fundit në Shqipëri, farsën elektorale të 11 Majit 2025, në kushtet e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Në takim theksova se rikthimi i të drejtës së shqiptarëve për votën e lirë është objektivi më madhor i PD dhe aleatëve të saj” – tha Berisha.
()