Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë vijoi sot me zhvillimin e etapës së dytë, Shkodër – Elbasan, një itinerar i gjatë prej 188 kilometrash që solli emocione dhe rivalitet të fortë mes çiklistëve pjesëmarrës.Etapa u karakterizua nga ritme të larta dhe duel interesant mes sportistëve, ndonëse pa shkëputje të ndjeshme individuale gjatë garës. Në fund, fitues i etapës së dytë u shpall çiklisti holandez Niels Reemeijer, pjesë e skuadrës WPGA nga Amsterdami. Me këtë fitore, Reemeijer rrëmbeu edhe fanellën e verdhë, simbolin e liderit të përgjithshëm të Turit pas zhvillimit të dy etapave të para.Ndërkohë, edhe skuadra kombëtare shqiptare pati arsye për të festuar. Gabriele de Fabritis, përfaqësues i Nacional Team Albania, arriti të rrëmbejë fanellën e gjelbër, si sprinteri më i mirë deri më tani, si dhe fanellën e bardhë, e cila i jepet sportistit më të mirë të ri të garës.
Gara u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa incidente, duke garantuar një spektakël të denjë për sportin e çiklizmit.Turi do të vijojë nesër me etapën e tretë, e cila nis nga Elbasani dhe përfundon në Vlorë, me një gjatësi prej 149 kilometrash. Kjo pritet të jetë një tjetër sfidë e rëndësishme për çiklistët, me terren të alternuar dhe mundësi për ndryshime në renditjen e përgjithshme.