FORMULA 1/ Nga tensioni në radion e Ferrarit te krahasimi në ekip, Hamilton është blof

Një nga imazhet e Çmimit të Madh spektakolar të Monakos ishte ajo e makinës Ferrari të Luis Hamilton, të dëmtuar dhe të parkuar në sheshin luksoz “Place du Casino”. Në vendin ku milionerët largohen ose kthehen në supermakinat e tyre, shtatë herë kampioni i Botës në Formula 1 mishëroi pakënaqësinë me njëvendëshen SF-25.

Rezultatet vazhdojnë të jenë larg pritshmërive, teksa edhe këtë herë piloti britanik u mund nga shoku i skuadrës, Sharl Lëklerk, ndërsa fundjava në Principatë u shënua edhe nga një përplasje me barrierat në provat e treta të lira. Luis u përmirësua në garë, duke u klasifikuar i pesti, por gjërat nuk duken shumë premtuese. Sharl Lëklerk, i cili luftoi për të fituar në Montekarlo, e la pas me më shumë se 1 minutë kohë. Kështu Monako ishte një tjetër garë që e la Ferrarin në gjendje të vështirë, ndërsa edhe këtu nuk munguan tensionet në radio midis Luis Hamiltonit dhe inxhinierit të tij, Riçardo Adami.

Në tunel, piloti britanik hapi komunikimin me Adamin, ndërkohë italiani nuk u përgjigj. Më pas Luis tha disa fjalë që nuk dëgjohen shpesh në F1: “Je i zemëruar me mua?”, ishte komenti i pilotit. Ferrari sqaroi menjëherë se çfarë kishte ndodhur. “Nuk është shkak për tension. Fola me Hamiltonin dhe ai nuk ishte i mërzitur”, shpjegoi drejtori i ekipit Fred Vasër. Por është domethënëse që tensioni shfaqet përsëri kaq shpejt në ekipin e Maranelos pas krizës në Majami, ku urdhrat e skuadrës nuk i pëlqyen asnjërit prej dy pilotëve.

BILANCI: 5-1 DHE 7-1 Me një MekLaren që në këtë pjesë të parë të sezonit duket shumë përpara, te Ferrari shihet bilanci brenda shtëpisë, duke krahasuar rezultatet e dy pilotëve. Sharl Lëklerk ka bërë dukshëm më mirë se Luis Hamilton, teksa kryeson 5-1 ndaj britanikut përsa u përket rezultateve më të mira në gara. Ndërsa britaniku mund t’u gëzohet vetëm performancave në Sprint, me atë fitore në Kinë dhe podiumin në Majami. Situata nuk përmirësohet për pilotin 40-vjeçar as në kualifikuese, pasi monegasku e mposht 7-1. Hamilton është ende në një periudhë adaptimi në drejtimin e Ferrarit, por kjo përshtatje nuk mund të zgjasë pafundësisht në një ekip që kërkon gjithmonë maksimumin. “Në Monako, nuk mund të shpresoja më shumë, duke qenë se kishte edhe 3 vende penalizim. Rezultati ishte i mirë, por ndihesha në mes të asgjëje”, shpjegoi Hamilton. “Nuk konkurrova me askënd, arritëm vetëm të nxirrnim dy makina përpara nesh dhe nuk kishte asgjë tjetër që mund të bënim”, përfundoi piloti britanik. Me Sharl Lëklerkun që arrin të nxjerrë më shumë nga makina SF-25, presioni sa vjen dhe shtohet për Hamiltonin, edhe pse nga ana tjetër është e vërtetë se askush nuk e di aq mirë Ferrarin sa monegasku. Por nga një yll siç është shtatë herë kampioni i Botës, pritshmëritë janë shumë të larta dhe në këtë sezon ai po tregon shumë pak me “kokëkuqen”.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×