INTERVISTA/ “Historia nuk përsëritet, në Beograd djemtë u treguan heronj”, Alban Hoxha: Ia dalim të bashkuar, ndaj Serbisë vetëm për fitore (VIDEO)

Shqipëria sfidon Serbinë me 7 qershor, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Botërorit. Alban Hoxha, një nga ata që kanë qenë prezent në ndeshjen e famshme të Beogradit, dha një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, ku foli pikërisht për këtë takim.

Në bisedën e bërë me Trevisa Tufën, Hoxha kujton përballjen e 14 tetorit 2014. Portieri shprehet se për ndeshjen e qershorit i kemi mundësitë për të fituar.

 

Alban e kujton shpesh atë sfidë ndaj Serbisë, e diskuton shpesh me miqtë, apo të afërmit?
E kujtoj shpesh dhe ma kujtojnë. Ka qenë ndeshje e vështirë, ishte momenti që unë sapo kisha arritur në kombëtare. Nuk e mendoja që do ndodhnin ato gjëra në kombëtare. Deri në ato momente po luanim mirë. Djemtë, me të vërtetë janë treguar heronj, me atë që dhanë në fushë.

11 vite më pas, çfarë do veçoje? Cili është ai moment, që nuk do e harroje kurrë?

Nga ndeshja do ta veçoj gjithë momentin që kemi shkuar në ndeshje, që nga mbërritja në aeroport. Çdo gjë ishte kaos, në momentin që dolëm në nxehmje, me ato thirrje raciste, ishte e vështirë për ne. Ne ia dolëm shumë mirë gjithsesi.

Çfarë mendove, kur na ra shorti sërish me Serbinë? Cila ishte gjëja e parë që të shkoj ndër mend?

Direkt më shkoi në mendje ndeshja që ka kaluar me Serbinë. Deri diku më erdhi mirë, kemi mundësinë që të tregojmë veten sërish. Pse jo të marrim 3 pikësh dhe të gëzojmë tifozët.

I druhesh ndonjë incidenti, ndonjë droni, edhe pse duhet thënë që edhe 11 vite më parë në Elbasn Arena nuk ndodhi asgjë…

Jo nuk mendoj pasi janë marrë masa drastike. Unë mendoj se do jetë tifozeria e karikuar në maksimum.

Çfarë sfidë pret më 7 qershor, si e sheh sot sfidën Shqipëri-Serbi?

Mendoj se me ekipin që është aktualisht, mund të përballemi me të gjithë. Pres që tifozëria jonë të kënaqet. Besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje.

Si ndikon presioni i një sfidë të tillë? Sa e vështirë do të jetë për shqiptarët e Kosovës?

Besoj se ndikon, më shumë është emocion i bukur. Patjetër, përgatitja e lojtarëve do jetë shumë më përpara. Një lojtar profesionist, mezi i pret këto ndeshje. Pjesa e tifozërisë do i “karikojë” lojtarët më shumë.

E vendos kjo sfidë fatin e Shqiperisë, ndeshja që duhet fituar?

Nuk mendoj që është vetëm kjo ndeshje për fatin e Shqipërisë. Me këtë 3 pikësh shkojmë 6 pikë, Anglinë vështirë se do e kapim me pikë. Vendi i dytë do ishte gjë e bukur.

Si e sheh sot Shqipërinë Alban, si të duket sot ekipi përfaqësues në raport me atë ekip të De Biasit ku dhe ju bënit pjesë?
Edhe ai ekip ka qenë i mirë. Ky i Sylvinhos është akoma më i mirë, pasi kemi lojtarë që luajnë në kampionate të forta. Kemi grup të kompletuar.

Çfarë do i jepje nga ai ekip?

Nuk ndaj lojtarët. Besoj se në këtë kombëtare pjesa e sulmit është më efektive se në atë kohë që kemi qenë ne.

Ku mendon se do të vendoset kjo ndeshje, ku ke më shumë besim?

Kjo ndeshje do vendoset në të gjitha repartet. Duhet të jemi të gjithë bashkë. Pastaj kush e bën golin, është i fundit që merr meritat. Për mua meritat i kanë të gjithë, që nga porta e deri te sulmi.

Në fund, një koment për Partizanin, e nisni nga Evropa për të vijuar me përgatitjen e ekipit për sezonin e ri, çfarë duhet të presin tifozët?

Do ndryshojë goxha ekipi këtë vit. Shpresoj që të jenë lojtarë që japin maksimumin për Partizanin. Jemi para ndeshjeve të Europës, shpresoj që të kalojmë një ose dy ture, është si objektiv. Pastaj duhet menduar për kampionatin.

(J.S/)

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×