
Fatma Haxhialiu, u bë nënë për herë të dytë në muajin shkurt, kur në jetë erdhi Noari i vogël. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ajo ndau emocionet dhe përvojën e saj nga lindja, duke treguar në detaje si e përjetoi këtë moment të veçantë. Fatma tregon se lindja e saj e dytë ka qenë si një “déjà vu” me lindjen e parë, megjithëse pak më e “çuditshme”, pasi ditën e parë bëri vizitën rutinë tek mjekja, kurse në orët e para të mëngjesit shkoi në sallën e lindjes
“Ka qenë shumë e çuditshme! Një ditë më përpara se të lindja, isha për vizitë sepse ndjeja disa kontraksione dhe doja që të isha e sigurt. Pasi kisha lënë pas disa punë, xhirime, disa takime për shtëpinë, doja të dija se ku isha. Shkoj bëj vizitën dhe më thotë doktoresha që jemi në rregull dhe më tha që nga e enjtja ose e premtja të bëjmë një kontroll tjetër sepse jemi afër. Por, këtë javë tha bëj çfarë ke për të bërë, mbylli gjërat që pastaj të jesh gati. Lashë oraret unë të gjitha për ditën tjetër. Shkon ora dy e gjysmë e mëngjesit dhe më ndodh e njëjta gjë si me Kianin që më plasnin ujërat si fillim. Lajmëroj doktoreshën, ngrohem bëhem gati, por kësaj here më e qetë jo si herën e parë. Kur të plasin ujërat thjesht duhet të shkosh me qetësi në maternitet.
Shkuam bëmë gati gjërat, çova Kianin tek nëna dhe më pas shkuam në maternitet. Procedura ka qenë nuk e di, sikur po jetoja një ‘déjà vu’ si me Kianin. Shkova atje dhimbjet nuk më kishin ardhur. Kësaj here kisha fatin që të kisha tim shoq në sallën e lindjes. E vendosëm që ai do të ishte dhe do bëheshim pjesë e kësaj eksperience. Gjërat që kisha peng nga hera e parë, që oshte mos prania e partnerit në sallë dhe mungesa e një videoje, sepse doja shumë që ta kisha momentin. Dhe kështu i realizova të dyja dhe nuk e di është momenti më i bukur në jetë”, tregoi Fatma Haxhialiu.