Qeveria merr vendimin për organizimin e policëve vullnetarë, ja sa orë në ditë mund të punojnë këta efektivë

Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave është miratimi për rregullimin e organizimit, funksionimit dhe fushës së veprimit të shërbimit të policimit vullnetar, një nismë që synon përmirësimin e sigurisë publike dhe forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, duke promovuar edhe angazhimin qytetar.

Në vendim theksohet se “koha maksimale e angazhimit të policit vullnetar në shërbim nuk do të kalojë 5 orë në ditë dhe 25 orë në javë,” ndërsa “kontrata e vullnetarizmit përcakton të drejtat, detyrimet dhe kushtet për kryerjen e aktiviteteve.”

V E N D I M

PËR

ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE FUSHËN E VEPRIMIT  TË POLICIMIT VULLNETAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 128, të                       ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
  2. Ky vendim ka për objekt rregullimin e organizimit, funksionimit dhe fushës së veprimit të shërbimit të policimit vullnetar, në mbështetje të strukturave të Policisë së Shtetit.
  3. Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  4. Policimi vullnetar është një shërbim publik, i cili përfshin veprimtaritë e kryera nga policët vullnetarë në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit.
  5. Polici vullnetar është çdo person që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara dhe që është pranuar në shërbimin e policimit vullnetar.
  6. Kohëzgjatja ditore e vullnetarizmit është periudha kohore e angazhimit të vullnetarit në shërbimin e policimit vullnetar, e cila nuk tejkalon 5 (pesë) orë në ditë dhe 25 (njëzet e pesë) orë në javë.
  7. Kontrata e vullnetarizmit është dokumenti ligjor, i lidhur ndërmjet vullnetarit dhe ofruesit të shërbimit të vullnetarizmit, i cili përcakton të drejtat, detyrimet, kushtet dhe kriteret për kryerjen e aktiviteteve dhe shërbimeve vullnetare, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
  8. ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE FUSHA E VEPRIMIT TË SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR
  9. Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me to për:
  10. a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare, duke kryer këto detyra:
  11. Ruajtjen e perimetrit të jashtëm të ambienteve ku zhvillohen aktivitetet masive;
  12. Kryerjen e shërbimit së bashku me punonjësit e Policisë së Shtetit në postblloqe/pika kontrolli në zona/rrugë me trafik të kufizuar ose ku ndalohet qarkullimi i automjeteve;

iii. Drejtimin dhe disiplinimin e lëvizjeve të grupeve të tifozëve/spektatorëve/pjesëmarrësve në aktivitet gjatë hyrjes;

  1. Mbledhjen e informacionit me interes për Policinë e Shtetit, veçanërisht për ndeshjet sportive me nivel të lartë rivaliteti, tubime, si dhe veprimtari të tjera publike me pjesëmarrje masive, për të cilat ekzistojnë të dhëna ose dyshime të arsyeshme se mund të ndikojnë në sigurinë ose në rendin publik;
  2. Informimin e policisë për situata shqetësuese apo të rrezikshme, duke ndjekur nga afër dhe duke dhënë informacion në vijimësi, deri në mbërritjen e forcave policore;
  3. Këshillimin e publikut dhe shuarjen e konflikteve të lehta ndërmjet palëve që nuk kërkojnë ndërhyrje të specializuar të policisë;

vii. Ndihmën në ruajtjen dhe mbajtjen e lirë të rrugëkalimeve të emergjencës dhe drejtimin e lëvizjes së njerëzve e të automjeteve, sipas korridoreve të caktuara;

viii. Angazhimin për ruajtjen e zonave të parkimit të automjeteve të policisë, ambulancave dhe zjarrfikësve pranë vendit ku zhvillohet aktiviteti;

  1. Këshillimin dhe drejtimin e tifozëve/spektatorëve/pjesëmarrësve në përfundim të aktivitetit gjatë shpërndarjes, sipas korridoreve të caktuara të lëvizjes;
  2. Ndihmën në ruajtjen e rendit në ditët e pazareve, festivaleve dhe festave lokale, ku ka grumbullime të mëdha njerëzish.
  3. b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale, duke kryer këto detyra:
  4. Menaxhimin e qarkullimit të sigurt të nxënësve dhe qytetarëve në kryqëzime dhe pranë shkollave;
  5. Bashkëpunimin me policinë për menaxhimin e kalimeve rrugore apo akseve ku ka një trafik të shtuar, duke përdorur tabelën apo sinjalistikën me duar;

iii. Disiplinimin e mjeteve në stacionim apo lëvizje gjatë panaireve dhe ditëve të pazareve;

  1. Angazhimin në fushata ndërgjegjësuese dhe aktivitete parandaluese me shkollat dhe komunitetin.
  2. c) rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore, duke kryer këto detyra:
  3. Patrullimin përreth institucioneve arsimore në këmbë ose me mjete patrullimi, veçanërisht gjatë periudhave të trafikut të rënduar;
  4. Menaxhimin e trafikut pranë shkollave dhe mbështetjen në zbatimin e rregullave të qarkullimit;

iii. Monitorimin e hyrjeve dhe daljeve të fëmijëve për të parandaluar sjellje të rrezikshme;

  1. Monitorimin e aktiviteteve të dyshimta në perimetrin e sigurisë së institucioneve arsimore, duke parandaluar hyrjen e paautorizuar në ambientet e tyre;
  2. Mbështetjen e aktiviteteve jashtë orarit mësimor, si ato sportive, artistike, kulturore, për të garantuar sigurinë e nxënësve/studentëve dhe pjesëmarrësve dhe garantimin e sigurisë;
  3. Bashkëpunimin me oficerët e sigurisë pranë shkollave/institucioneve arsimore për reagimin në kohë ndaj situatave emergjente të konflikteve, dhunës apo incidenteve;

vii. Mbështetjen në organizimin e simulimeve për reagimin ndaj situatave të emergjencave civile, ku kërkohet izolimi ose evakuimi dhe dhënia e ndihmës së parë;

viii. Mbështetjen e punonjësve të policisë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të nxënësve, studentëve, prindërve dhe personelit pedagogjik për çështjet e sigurisë;

  1. Informimin e përgjegjësit të strukturës policore për probleme të ndryshme të sigurisë në shkolla, si shkeljet e ligjit apo identifikimi i personave, të cilët merren me shitjen e drogave të lehta, alkoolit dhe duhanit.

ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit, duke kryer këto detyra:

  1. Mbështetjen dhe angazhimin e të rinjve të margjinalizuar në aktivitete parandaluese;
  2. Patrullimin gjatë orëve të natës, veçanërisht në fundjavë në zonat e frekuentuara nga të rinjtë, si baret, klubet e natës, lokalet me muzikë live dhe vende të ngjashme, me qëllim këshillimin dhe ndërgjegjësimin për shmangien e konsumit të tepërt të alkoolit, përfshirjes në konflikte dhe drejtimit të automjeteve nën ndikimin e tij;

iii. Patrullimin pranë vendparkimeve, stacioneve të urbanëve, terminaleve të autobusëve, si dhe në zona të identifikuara me risk të shtuar për sigurinë publike, me qëllim parandalimin e vjedhjeve, sjelljeve të pahijshme apo të dhunshme dhe rritjen e ndjenjës së sigurisë në mjedisin urban e në transportin publik;

  1. Patrullimin me punonjësit e Policisë së Shtetit pranë lagjeve me popullsi heterogjene dhe të margjinalizuar;
  2. Bashkëpunimin me organizata komunitare për çështjet e rendit dhe qetësisë publike, duke trajtuar problematika të komunitetit dhe duke mbledhur informacion në kuadër të parandalimit.
  3. d) mbështetjen e policisë në mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe zonave të mbrojtura, duke kryer këto detyra:
  4. Informimin e autoriteteve për dëmtime të qëllimshme ndaj mjedisit, si prerja e paligjshme e pyjeve, ndotja e ujërave dhe djegia e mbeturinave, si dhe çdo dëmtim tjetër i qëllimshëm i mjedisit, që bie ndesh me legjislacionin përkatës;
  5. Patrullimin me punonjësit e Policisë së Shtetit në rezervate natyrore dhe monumente të kulturës për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme;

iii. Sensibilizimin e komunitetit për ruajtjen e mjedisit.

  1. dh)  mbështetjen e Policisë Kufitare, duke kryer këto detyra:
  2. Informimin e individëve që kalojnë në pikat e kalimit kufitar për procedurat dhe rregullat apo asistimin e tyre në plotësimin e formularëve të ndryshëm;
  3. Mbështetjen në identifikimin e migrantëve të paligjshëm, asistimin dhe informimin e tyre për procedurat dhe legjislacionin në fuqi për trajtimin e tyre dhe azilkërkimin;

iii. Ndihmën në shërbimet e emergjencës, menaxhimin e flukseve të larta migratore në rastet e krizave humanitare dhe garantimin e kushteve të sigurisë të vendstrehimeve të tyre të përkohshme;

  1. Monitorimin e zonave në distancë në afërsi të kufirit dhe veçanërisht pikat e hyrjes në kufi, të ndryshme nga pikat e zakonshme të kalimit kufitar, duke identifikuar dhe duke parandaluar krimet ndërkufitare.
  2. e) menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv, duke kryer këto detyra:
  3. Përmbushjen e detyrave, të përcaktuara nga përgjegjësi i strukturës policore në lidhje me krijimin dhe administrimin e perimetrave të sigurisë në situatat e emergjencave civile, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike;
  4. Mbikëqyrjen dhe sigurimin e zonave të grumbullimit të qytetarëve dhe shpërndarjes së ndihmave humanitare, duke synuar shmangien e çdo rreziku që mund të cenojë sigurinë apo mirëfunksionimin e proceseve të ndihmës;

iii. Mbledhjen e informacionit dhe udhëzimin e publikut në raste emergjencash civile në lidhje me masat mbrojtëse dhe procedurat përkatëse;

  1. Angazhimin në operacionet e kërkim-shpëtimit;
  2. Informimin e publikut për personat e zhdukur, si dhe mbledhjen e shkëmbimi të të dhënave me komunitetin për të ndihmuar në gjetjen e tyre;
  3. Bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe organet e tjera kompetente në sigurimin dhe mbrojtjen e vendngjarjeve të ndryshme, ruajtjen e provave, identifikimin dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, si dhe çdo veprim tjetër që ndihmon hetimet dhe garanton integritetin e procesit hetimor;

vii. Dhënien e ndihmës së parë në përputhje me protokollet e emergjencave mjekësore.

ë) mbështetjen e ekipeve për gjetjen e personave të humbur ose në rrezik jete në zonat malore dhe bregdetare.

  1. Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë, të caktuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë së Shtetit.
  2. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të Shërbimit të Provës, të Policisë së Burgjeve dhe të Gardës së Republikës.

III. PROCEDURA E APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJES SË SHTETASVE NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR

  1. Aplikantët që kërkojnë pranimin në shërbimin e policimit vullnetar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
  2. a) Formularin e aplikimit, sipas formatit të përcaktuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
  3. b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
  4. c) Dokumentin zyrtar, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;

ç) Raportin mjeko-ligjor, që vërteton aftësinë e aplikantit për të ushtruar detyrën e policit vullnetar.

  1. Procedura e aplikimit fillon pas shpalljes së konkurrimit publik. Aplikanti plotëson formularin e aplikimit dhe e dorëzon së bashku me dokumentacionin e kërkuar në pikën 1, të këtij kreu, në Drejtorinë Vendore të Policisë, ku ka vendbanimin e përhershëm.
  2. Pas aplikimit të shtetasit, struktura policore vendore siguron me ndërveprim dokumentet e mëposhtme:
  3. a) Certifikatën e gjendjes gjyqësore;
  4. b) Certifikatën familjare.
  5. Struktura përgjegjëse policore shqyrton dokumentacionin e dorëzuar dhe verifikon nëse aplikanti plotëson kriteret e përgjithshme të përcaktuara në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi.
  6. Kjo strukturë administron dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga përfundimi i afatit të aplikimeve dhe kryen veprimet e mëposhtme:
  7. a) Kur dokumentacioni shoqërues është në përputhje me pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, e njofton aplikantin për vazhdimin e procedurës së verifikimit të kritereve;
  8. b) Kur dokumentacioni shoqërues nuk është në përputhje me pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, e njofton kandidatin për plotësimin e të metave brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit.
  9. Mosplotësimi i të metave brenda afatit 5-ditor përbën shkak për mospranimin e aplikimit.
  10. Struktura përgjegjëse, brenda 7 (shtatë) ditëve nga përfundimi i afatit për plotësimin e të metave, verifikon dokumentacionin përkatës.
  11. Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk vërteton plotësisht përmbushjen e kritereve, nuk është i plotë e i saktë ose ka dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tij, struktura përgjegjëse mund të kërkojë informacion ose dokumentacion shtesë nga çdo organ publik apo persona të tjerë juridikë, vendas ose të huaj.
  12. Në përfundim të procesit të verifikimit, sipas pikës 8, të këtij kreu, struktura përgjegjëse njofton me shkrim secilin aplikant për pranimin ose refuzimin e tij/saj.
  13. Aplikantëve, të cilëve u është refuzuar aplikimi, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, duke bashkëlidhur argumentet dhe dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve.
  14. Pas përfundimit të afateve të ankimit dhe shqyrtimit të tyre, bëhet përfshirja e aplikantëve në listën e të kualifikuarve, nëse provohet përmbushja e kritereve ose skualifikimi përfundimtar i tyre, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e paraqitjes së ankimit. Më pas hartohet lista përfundimtare e aplikantëve të kualifikuar dhe caktohet numri kodik i identifikimit për secilin aplikant nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore. Lista dërgohet zyrtarisht në Akademinë e Sigurisë.
  15. Në rastet kur aplikanti ka shërbyer më parë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe ka ndërprerë marrëdhënien e punës, por trajtohet me pagesë kalimtare deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas legjislacionit në fuqi, ai/ajo paraqet dokumentacionin e mëposhtëm:
  16. a) Formularin e aplikimit;
  17. b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
  18. c) Dokumentin zyrtar, që vërteton kohën e shërbimit dhe strukturën ku ka qenë i/e punësuar në Policinë e Shtetit.
  19. Aplikanti nuk i nënshtrohet trajnimit në Akademinë e Sigurisë, nëse ndodhet para rastit të përcaktuar në pikën 12, të këtij kreu.
  20. Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e trajnimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të konkurrimit, sipas rendit të mëposhtëm:
  21. a) Testimit të aftësive fizike;
  22. b) Intervistës;
  23. c) Kontrollit shëndetësor dhe psikologjik;

ç)  Verifikimit të besueshmërisë.

  1. Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e trajnimit të detyrueshëm në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet procesit të verifikimit të besueshmërisë, që konsiderohet si verifikimi përfundimtar i aplikantit, nëpërmjet strukturave të hetimit të krimit, për të verifikuar faktin që aplikanti apo pjesëtarë të familjes së tij nuk janë të implikuar në veprimtari kriminale.
  2. KRITERET E PËRGJITHSHME DHE TË VEÇANTA TË PRANIMIT NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR
  3. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
  4. a) Të jetë shtetas shqiptar;
  5. b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
  6. c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil me masë disiplinore;

ç)  Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;

  1. d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
  2. dh) Të jetë i moshës nga 18 (tetëmbëdhjetë) deri në 65 (gjashtëdhjetë e pesë) vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
  3. Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
  4. a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
  5. b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
  6. KONTRATA E VULLNETARIZMIT
  7. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë.
  8. Kontrata e vullnetarizmit rregullon marrëdhënien ndërmjet palëve, duke përcaktuar të drejtat, detyrimet përkatëse, kohëzgjatjen dhe kushtet e ushtrimit të shërbimit, kriteret për përfshirje, si dhe shkaqet, procedurat dhe pasojat juridike, që lidhen me pezullimin, përfundimin apo zgjidhjen e saj.
  9. Forma dhe përmbajtja e kontratës tip përcaktohen në shtojcën 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  10. TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E POLICIT VULLNETAR
  11. Polici vullnetar ka të drejtë:
  12. a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve, që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;
  13. b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, kur ndihmon strukturat policore;
  14. c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë, sipas shtojcës 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

ç) të kërkojë, në mënyrë individuale, vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e dhënë në punën vullnetare nga struktura vendore e policisë;

  1. d) të ndjekë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas shtojcës 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
  2. dh) të njihet dhe të konsultohet me proceset vendimmarrëse që lidhen me strategjitë, politikat, identifikimin e nevojave të komunitetit dhe çështje të tjera që ndikojnë në ushtrimin e detyrës së tij;
  3. e) të përfitojë këshillim ligjor për çështje që lidhen me etikën, integritetin, korrupsionin, konfliktin e interesit, konfidencialitetin dhe aspekte të tjera përkatëse, si dhe të marrë udhëzime praktike dhe shpjegime konkrete për legjislacionin në fuqi, sjelljen e pritshme nga policët vullnetarë, përfshirë edhe procedurat për trajtimin e shkeljeve disiplinore dhe ankimimet e tyre;

ë) t’i njihet kontributi në komunitet përmes vlerësimeve publike ose medaljeve.

  1. Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:
  2. a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;
  3. b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;
  4. c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;

ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;

  1. d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi, në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:
  2. janë në kundërshtim me ligjin;
  3. paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;

iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;

  1. janë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit.
  2. dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave, që mund t’i shkaktojnë dëme shëndetit ose jetës së tij.
  3. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij, të kryera në kundërshtim me ligjin.
  4. Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.
  5. Nëse gjatë shërbimit të tij, polici vullnetar përballet me kundërshtime nga shtetas të ndryshëm, ai e përcjell problemin për zgjidhje të mëtejshme te punonjësit e Policisë së Shtetit.

VII. PËRGJEGJËSITË E PËRFITUESIT TË SHËRBIMIT

  1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar, duke u siguruar që:
  2. a) të trajnojë paraprakisht kandidatët që do të certifikohen si të aftë për të kryer detyra në ndihmë të Policisë së Shtetit;
  3. b) të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar gjatë kryerjes së detyrave, në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar;
  4. c) të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar;

ç) të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi, njëlloj si punonjësit e policisë, kur ai vepron jashtë qendrës së banimit;

  1. d) të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar;
  2. dh) të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit;
  3. e) të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar;

ë) të trajtojë policin vullnetar, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 16, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”;

  1. f) të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi, lidhur me statusin që ai gëzon, sipas modelit të përcaktuar në shtojcat 2 dhe 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
  2. Çdo vit, në bazë të nevojave dhe të propozimeve të drejtorive vendore të policisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcakton numrin e policëve vullnetarë.

VIII. PLANIFIKIMI DHE PROCEDURAT E NDJEKURA PËR KRYERJEN E SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

  1. Planifikimi i shërbimit të policimit vullnetar përfshin:
  2. a) marrjen e masave për hartimin e planeve përkatëse për shërbimin e policëve vullnetarë nga drejtuesit e strukturave vendore të Policisë së Shtetit. Këto plane planifikohen në librat e shërbimit, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Procedurën Standarde të Operimit (PSO) “Planifikimi i shërbimeve të policisë” dhe PSO “Planifikimi i shërbimeve të policisë për aktivitetet masive”;
  3. b) hapjen dhe administrimin e librit të planifikimit të shërbimit të policimit vullnetar, i cili është i posaçëm dhe i sekretuar, si dhe përmban të njëjtat rubrika, si libri i shërbimit të patrullës së përgjithshme, dhe administrohet në përputhje me kërkesat e                    PSO-së “Planifikimi i shërbimeve të policisë”;
  4. c) marrjen e masave për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e policëve vullnetarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre nga drejtuesit e strukturave vendore të Policisë së Shtetit, ku policët vullnetarë kryejnë shërbimin.
  5. Procedura përpara marrjes së shërbimit nga ana e policit vullnetar përfshin:
  6. a) kryerjen e përgatitjes vetjake, e cila konsiston në:
  7. rregullimin e uniformës së shërbimit, kujdesin personal, pajisjen me bllok shënimesh dhe mjete për të shkruar;
  8. marrjen e dokumentit të identifikimit dhe të medaljonit zyrtar;

iii. kontrollin e shenjave të montuara në uniformë dhe pajisjet e shërbimit.

  1. b) paraqitjen në orar dhe në vendin e caktuar për marrjen e shërbimit.
  2. Personeli i shërbimit vullnetar instruktohet lidhur me masat që duhet të merren në fillim gjatë kryerjes dhe në përfundim të shërbimit.
  3. Instruktazhi i personelit zhvillohet nga specialisti i rendit publik (me gradë “Nënkomisar”) apo nga shefi i seksionit të rendit dhe përfshin:
  4. a) kontrollin e prezencës së personelit në bazë të planifikimit të shërbimit;
  5. b) gjendjen e tyre shëndetësore dhe fizike;
  6. c) pamjen e jashtme dhe uniformën e punonjësve;

ç)   dokumentin e identifikimit;

  1. d) pajisjet e shërbimit;
  2. dh)  pajisjen me formularë të raportit të shërbimit/aktivitetit;
  3. e) masat për korrigjimin e të metave dhe mangësive të konstatuara për çështjet e mësipërme.
  4. Instruktazhi gjithashtu përfshin:
  5. a) ndarjen e sektorëve/vendit të shërbimit dhe të mënyrën së kryerjes së tij;
  6. b) përcaktimin e detyrave kryesore për secilin polic vullnetar dhe fushat në të cilat duhet të përqendrojnë vëmendjen kryesore gjatë kryerjes së shërbimit;
  7. c) zbatimin e procedurave standarde gjatë gjithë kohës së shërbimit, sipas trajnimit të kryer, mënyrën e veprimit dhe detyrat që duhet të kryejë në rast të ndodhjes së ndonjë incidenti apo ngjarjeje kriminale/aksidentale në vendin e shërbimit;

ç) mënyrën e informimit, bashkëveprimit dhe koordinimit me shërbimet e tjera policore, si dhe mënyrën e komunikimit e të raportimit gjatë shërbimit.

  1. Specialisti i rendit publik (me gradë “Nënkomisar”) apo shefi i seksionit të rendit, në përfundim të shërbimit të policimit vullnetar, pret personelin dhe vijon me kryerjen e procedurave, të cilat përfshijnë:
  2. a) kërkimin e raportimit verbal për aktivitetin e kryer nga policët vullnetarë gjatë shërbimit;
  3. b) evidentimin e raportimeve verbale për shërbimin e kryer nga policët vullnetarë, përfshirë ngjarjet dhe problematikat e hasura;
  4. c) plotësimin e një informacioni përmbledhës për të gjithë problematikat e evidentuara nga policët vullnetarë dhe informimin e eprorit për to;

ç) nëse nga raportimi i mësipërm, evidentohen problematika me interes të veçantë për strukturën policore, kërkohet nga polici vullnetar plotësimi i një raporti të hollësishëm, i cili administrohet në regjistrin përkatës.

  1. DISPOZITA TË FUNDIT
  2. Vendimi nr.641, datë 2.10.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar”, shfuqizohet.
  3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K RY E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×