Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime ditën e sotme që lidhen me rijetëzimin e pallatit të sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, si dhe realizimin e projekteve në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.
Për të këtë qëllim, Qeveria ka autorizuar Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila vetë, ose me nënkontraktorë, do të bëjë të mundur realizimin e projekteve të parashikuara.
VENDIMET
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Maj 2025:
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E KORPORATËS SË INVESTIMEVE SHQIPTARE PËR ZHVILLIMIN E PASURISË NR.3/257, NË ZONËN KADASTRALE 8210, PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “RIJETËZIMI I PALLATIT TË LOJËRAVE ME DORË “ASLLAN RUSI””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronës së përcaktuar në shtojcën nr.1, sipas këtij vendimi, me qëllim realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i Pallatit të Lojërave me Dorë “Asllan Rusi””, në përmbushje të interesit publik për projektin e investimit.
- Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet e përcaktuara në shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, apo autoritetet e autorizuara prej tyre që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, si dhe përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entetit/entiteteve në pronësi të të cilit/ave regjistrohet prona e re shtetërore.
- Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.
Autorizohet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që në të njëjtën procedurë të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare nëpërmjet hartimit të termave të referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore. Shpenzimet për shërbimet e parashikuara në këtë pikë mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare.
- Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronës për të cilën ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit.
- Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike, kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit, apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin në emër të Republikës së Shqipërisë/Bashkisë së Tiranës/Qendrës Sportive, sh.a./Korporatës së Investimeve Shqiptare, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit, të pronës së re shtetërore që do të krijohet në kuadër të projektit të investimit.
- Në funksion të zhvillimit të pronës të përcaktuar në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronës së përcaktuar në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Ngarkohen Ministria Arsimit dhe Sportit, Bashkia Tiranë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendra Sportive, sh.a., dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E KORPORATËS SË INVESTIMEVE SHQIPTARE PËR KOORDINIMIN E PROCESIT TË IDENTIFIKIMIT TË PRONËS SHTETËRORE ME INTERES PËR TË REALIZUAR PROJEKTE INVESTIMI NË ZONËN INDUSTRIALE TË ISH-KOMBINATIT METALURGJIK, BASHKIA ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Korporata e Investimeve Shqiptare, në përputhje me objektivat e saj, me qëllim identifikimin e pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në zonën industriale të ish-Kombinatit Metalurgjik, Bashkia Elbasan, ngarkohet për përmbushjen e detyrave, si më poshtë vijon:
- a) Të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet procedurale për konsolidimin e pronës shtetërore në këtë zonë, si më poshtë vijon:
- Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës koordinimin dhe bashkërendimin me institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të këtyre pronave, për dhënien dhe shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar në lidhje me të drejtat e pronësisë, që është i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë, caktimin më të saktë të kufijve të zonës dhe përfundimin me prioritet të procesit të regjistrimit të pronës në regjistrat e pasurive të paluajtshme;
- Në bashkëpunim me shoqëritë shtetërore në përdorim të të cilave janë pasuritë brenda zonës së parkut metalurgjik, përcaktimin e statusit ligjor në librat e tyre kontabël;
iii. Negociimin me subjektet private, të përfshira në marrëdhënien juridike të pronësisë për këto prona, në lidhje me sqarimin dhe qartësimin e statusit të pjesës përkatëse të pronës shtetërore në këtë zonë;
- b) Të hartojë dhe të sigurojë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit një plan të detajuar qendror të zhvillimit të zonës, në të cilin ndodhet prona shtetërore. Shpenzimet për realizimin e këtij plani të detajuar qendror mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare;
- c) Të hartojë dhe të paraqesë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, një projekt zhvillimi të pronës shtetërore në këtë zonë. Shpenzimet për realizimin e këtij projektzhvillimi mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe/ose partnerët privatë.
- Institucionet shtetërore të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të pronave, sipas parashikimit të nënndarjeve “i” dhe “ii”, të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të paraqesin informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, brenda 5 (pesë) ditëve nga momenti i administrimit të kërkesës së paraqitur me shkrim nga Korporata e Investimeve Shqiptare.
- Korporata e Investimeve Shqiptare i paraqet raport të detajuar lidhur me përmbushjen e detyrave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila, pas konfirmimit të përmbushjes së detyrave, merr në shqyrtim kërkesën e Korporatës së Investimeve Shqiptare, në zbatim të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar.
- Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU