Heshtja në radio e Ferrarit, drejtori Vaser: Nuk flemë dhe as nuk po pimë birra

Nuk ka pushim për Formulën 1, e cila zbarkon në Barcelonë për fundjavën e tretë radhazi të Botërorit 2025, që shënon edhe fazën e fundit e tripletës europiane të garave. Ferrari mbërrin në Çmimin e Madh të Spanjës pas vendit të katërt me përmbysje nga Luis Hamilton në Imola dhe podiumit të shkëlqyer të Sharl Leklerk në Monako.

Hapa të vegjël përpara, që, sipas ekipit të Maranelos, duhet të vazhdojnë në Katalonjë. “Çmimi i Madh i Spanjës shënon fillimin e një të tretës së dytë të sezonit dhe cirkuiti i Barcelonës njihet mirë nga ekipet dhe pilotët. Ne po vijmë pas dy garave pozitive dhe në Monako bëmë gjithashtu hapa përpara në kualifikuese. Qëllimi për fundjavën është të vazhdojmë në këtë rrugë”, deklaron drejtori i Ferrarit, Frederik Vasër.

Gara spanjolle përfaqëson një pikë kyçe të sezonit, pasi shënon gjithashtu hyrjen në fuqi të rregullave të reja mbi fleksibilitetin e krahëve të makinave, të cilët tani e tutje do të duhet të kalojnë teste më të ashpra statike, gjë që mund të përmbysë skenarët mbi performancat e makinave, me MekLarenin që mund të humbasë avantazhin që ka treguar në këtë pjesë të parë të kampionatit. “Testet më të ashpra statike mbi fleksibilitetin e krahëve të përparmë do të debutojnë në Barcelonë dhe ky do të jetë një aspekt për t’u marrë në konsideratë”, shton Vasër, duke e bërë të qartë se diçka mund të ndodhë edhe në aspektin e rezultateve. Tashmë, tifozët e Ferrarit kryqëzojnë gishtat, duke shpresuar që Barcelona të sjellë kthesën e sezonit.

MESAZHET NË RADIO

Frederik Vasër është rikthyer të komentojë edhe përplasjet në radio mes Luis Hamiltonit dhe skuadrës gjatë garës në Monako. “Je i mërzitur me mua?!”, i ishte drejtuar piloti britanik në radio inxhinierit Rikardo Adami, pasi nuk kishte marrë përgjigje. Për shumë njerëz, dukej si një tjetër episod tensioni mes shtatë herë kampionit të botës dhe ekipit italian. Drejtori i Ferrarit, Frederik Vasër, u përpoq ta sqaronte vetë këtë episod:

“Kur piloti në Monte Karlo kërkon diçka midis kthesave një dhe tre, duhet të presim derisa ai të arrijë në tunel për t’u përgjigjur, në mënyrë që të shmangim bisedën me të ndërsa ai është i zënë në sektorin e pistës me më shumë kthesa. Nuk është se po flemë, nuk është se po pimë ndonjë birrë në bokse. Thjesht kemi rënë dakord me të paraprakisht se në cilin sektor të pistës do të flasim me njëri-tjetrin në radio. Dhe sinqerisht, nuk jam i befasuar nga pak nervozizëm nga piloti në raste të tilla. Ai po drejton me shpejtësi të plotë mes mureve dhe është nën presion. E gjej plotësisht të kuptueshme”, sqaron Vasër.

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×