Analisti politik Fitim Zekthi, i ftuar në “Log.” në News24, u shpreh se Partia Demokratike po përdor mekanizmin mbrojtës, fajësimin për të justifikuar humbjen e radhës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Zekthi tha se PD prej më shumë se një dekade ndjek një qasje mbrojtëse, duke u kapur pas faktorëve të jashtëm dhe duke shmangur analizën e brendshme.
“Nuk ka asnjëherë një shkak për gjithçka. Në Venezuelë opozita mori 40% të votave dhe qytetarët dolën në protestë. Po ashtu edhe në Gjeorgji. Janë gjithmonë shumë faktorë që ndikojnë,” u shpreh Zekthi.
Zekthi tha se sistemi politik shqiptar përpiqet t’i blejë zgjedhjet. Kjo është një e vërtetë që nuk mohohet. Por opozita, përpiqet të kapet gjithmonë me shkaqe të jashtme, me fajësime.
“Kjo është bërë një mekanizëm mbrojtës që PD e përdor që nga viti 2013”, tha Zekthi.
Sipas tij, PD e trajton diskursin politik me një bindje të brendshme se mban të vërtetën e vetme dhe të padiskutueshme, gjë që sipas tij, e ka larguar nga realiteti i shoqërisë dhe votuesve.
()