Në Serie A, si rrallë herë në vitet e fundit, vetëm pak ditë sapo është mbyllur sezoni, është krijuar një paqartësi e madhe në lidhje me të ardhmen, pasi thuajse të gjithë klubet “big” janë vënë në kërkim të një trajneri, kanë ndryshuar stafet drejtuese etj. Napoli, Juve, Milan, Atalanta, Roma e Lazio, të gjithë janë vënë në kërkim të një trajneri të ri, por kryefjala e këtij diskutimi është Antonio Conte, fituesi i freskët i titullit në Serie A me Napolin.
Conte dhe e ardhmja e tij pritet të ketë një efekt domino të madh edhe te klubet e tjera të Serie A. Tekniku “azzurr” ishte me një këmbë larg Napolit, por biseda e fundit me De Laurentiis ka ndryshuar disi situatën, pasi bosi i bluve i ka premtuar një buxhet prej 200 milionë euro për t’i investuar në verë. Në këto kushte, Conte ka marrë më shumë kohë duke bllokuar jo vetëm të ardhmen e tij, por edhe të disa trajnerëve të tjerë.
Në Napoli ishin të sigurt që Conte do të largohej, aq sa kishin vendosur kontakte me Allegrin, por situata u përmbys totalisht, me Allegri-n që tani është më pranë Milanit. Juventus i kishte bërë gati kontratën Contes, një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit, madje kishin bërë gati edhe pjesën tjetër të stafit, por tani “Zonja e Vjetër” e sheh veten përpara një fakti të ri, të vijojnë me Tudor apo të shohin për një tjetër opsion.
Me “valixhe” në duar është edhe Gaspreni i Atalantës, Baroni i Lazio-s, ndërsa Ranieri e mbylli me Romën.
Në këtë pikë, madje as Inzaghi nuk është më i sigurt tek Inter, edhe tekniku zikaltër mund të ndryshojë destinacion sezonin e ri pasi nga Arabia Saudite i kanë ofruar shuma marramendëse.