Sot seancë plenare, e para pas zgjedhjeve/ PS dhe PD mobilizojnë deputetët për “betejat” e fundit. Bardhi e Peleshi mesazhe grupeve! Çfarë pritet të ndodhë

Pas një pauze dy mujore për shkak të fushatës zgjedhore dhe më pas edhe zgjedhjeve të 11 majit dhe ditët që pasuan me numërimin e vullnetit të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, Kuvendi i Shqipërisë do t’i rikthehet sot jetës parlamentare. Seanca plenare është parashikuar të zhvillohet në orën 12:00 dhe do të shënojë fillimin e një faze pesë javore pune, përpara se kjo legjislaturë të mbyllet përfundimisht në korrik.

Për këtë rikthim në sallën e Kuvendit, drejtuesit e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste kanë shpërndarë mesazhe mobilizuese për deputetët e tyre ditën e djeshme.
Gazment Bardhi, drejtuesi i grupit të PD, ka theksuar se opozita do të fokusohet në denoncimin e parregullsive zgjedhore:

“Nesër ora 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 Majit. Ju përshëndes!”, shkruan Bardhi.

Ndërsa Niko Peleshi, kryetar i grupit të PS-së, u ka kërkuar deputetëve të jenë të pranishëm në mbledhjen e grupit që do të zhvillohet paraprakisht në orën 11:30.

“Përshëndetje kolegë! Siç jeni vënë në dijeni, nesër, e Enjte, datë 29 Maj, ora 12:00 zhvillohet seanca plenare e radhës. Paraprakisht, në 11:30 do të zhvillojmë mbledhjen e Grupit Parlamentar, po aty, në Sallën e Seancave Plenare. Diskutojmë mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në komisione dhe seanca përgjatë javëve në vazhdim. Pjesëmarrja është e domosdoshme. Faleminderit”, thuhet në mesazh.

Më parë, në 10:00 mblidhet Konferenca e Kryetarëve ku pritet të diskutohet projekt kalendari i punimeve të Kuvendit.

Nëse nuk gjendet dakordësia, atëherë projekt kalendari dhe projekt programi kalojnë për votim në seancë.

Në Kushtetutë nuk lejohet miratimi i ligjeve 60 ditë nga mbarimi i legjislaturës aktuale dhe 60 ditë përpara mbledhjes së legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Që nga 8 korriku Kuvendi nuk duhet të mblidhet më, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×