Deputeti i sapozgjedhur në Parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë, Ardit Bido, në një intervistë për News24, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe qëndrimin e opozitës ndaj tij. Ai theksoi se reagimi i opozitës ishte i pritur që prej fillimit të vitit.
“E dinim që në janar se çfarë do të ndodhte. Është një histori që përsëritet nga opozita – një retorikë e vjetër që nis me ‘librin e zi’, të njëjtën që kemi dëgjuar që në vitin 2001,” u shpreh Bido.
Ai vlerësoi procesin zgjedhor si të qetë, pa incidente serioze dhe transparent, duke theksuar se kishte shumë palë vëzhgues gjatë numërimit, çka garantoi besueshmërinë e rezultatit.
“Nuk kam dëgjuar asnjë mik të djathtë që të thotë se strukturat e PD-së mendonin se do të fitonin. Tani po dalin me një alibi për një humbje që e dinin,” tha ai.
Bido kritikoi edhe qëndrimin e opozitës për refuzimin e votimit dhe numërimit elektronik, duke shtuar se ky ishte një skenar i përgatitur më herët dhe se përqendrimi i debatit në këtë temë është i padobishëm.
Në vijim të deklaratës, ai ftoi klasën politike të lë pas justifikimet dhe të përqendrohet te përfaqësimi real i qytetarëve.