Gjermani, miratohen 2 pr.ligje që ndryshojnë politikat e emigrimit, Auron Dodi: Synohet ulja e presionit në kufi dhe në sistemet sociale gjermane

Në Gjermani, qeveria miratoi dy projektligje që ndryshojnë politikën ndaj një kategorie migrantësh dhe anulojnë hapa të qeverisë së mëparshme. Projektligjet duhet të kalojnë edhe në parlament.

Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.

Auron, përshëndetje.

Ashpërsimet për migrimin qeveria Merz i miratoi shpejt, tre javë pas ardhjes në pushtet. Për se bëhet fjalë më konkretisht?

Përshëndetje.

Po, është e vërtetë, qeveria e re po vepron me shpejtësi, për të adresuar çështjen e migrimit. Është çështja që mbizotëron në shqetësimet e gjermanëve, sipas sondazheve të fundit.

Në këtë kuadër, kabineti qeveritar miratoi të mërkurën dy projektligje.

I pari sjell kufizime për ribashkimin familjar të migrantëve jo azilantë; i dyti eleminon marrjen e përshpejtuar të shtetësisë gjermane, brenda tri vjetësh.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt i argumentoi hapat me fjalët se “aftësia integruese e vendit thjesht kishte arritur një pikë kulmore”. Ai shtoi se qytetet dhe bashkitë, kudo në Gjermani, janë në limite të ngarkesës. Ashpërsimin e masave Dobrindt e vlerësoi me fjalët:”Një ditë vendimtare…për reduktimin e migrimit të paligjshëm” në Gjermani.

Për cilat kategori të refugjatëve kufizohet ribashkimi familjar?

Ribashkimi familjar pezullohet për dy vjet për të huajt që kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani, megjithëse nuk kanë fituar statusin e azilantit ose të refugjatit sipas Konventës së Gjenevës. Kjo kategori në Gjermani aktualisht përbëhet nga rreth 388.000 vetë (388.074).

Janë persona që Gjermania i lejon të qëndrojnë këtu, sepse në vendin e origjinës i kërcënon p.sh. dënimi me vdekje, tortura, i pret një trajtim poshtërues ose dhunë diskriminuese. Treçereku i kësaj kategorie janë migrantë nga Siria.

Këtyre personave u kanë dhënë përgjithësisht leje qëndrimi njëvjeçare ose trevjeçare në Gjermani. Ata lejohen të jetojnë e punojnë në Gjermani, të marrin edhe përfitime sociale.

Ishte qeveria e kancelares Angela Merkel, që ua lejoi, në vitin 2015, ribashkimin familjar edhe kësaj kategorie migrantësh. Por në vitin 2016, kjo mundësi u ndërpre.

Nisi sërish, e kufizuar, në vitin 2018. Deri sot, ribashkimi familjar lejohej për deri 1000 vetë në vit.

Tani ribashkimi pezullohet krejtësisht për dy vjet, me përjashtim të rasteve të rënda, si p.sh. të trajtimit urgjent mjekësor.

Do të ndihej e mbingarkuar Gjermania, po të mbante regjimin aktual të ribashkimit familjar, që do të rezultonte në ardhjen e 12.000 familjarëve në vit, për ata që janë në Gjermani?

Pyetja është e kuptueshme. Qeveria është e ndërgjegjshme se ka kritika për këtë hap. Por një pjesë shumë e madhe e gjermanëve janë të shqetësuar nga atentatet e të huajve, të radikalizuar. Qeveria synon të japë edhe një sinjal, të ndryshojë atë që gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung e quajti “politikë të ftesës globale”. Kritikët  mendojnë se qeveria e kaluar doli jashtë „normalitetit“ evropian, me një frymë të tepruar nxitëse që në Gjermani të vijnë të huaj.

Ministri i Brendshëm Dobrint, nga kristjansocialët bavarezë, tha të mërkurën se “mungesa e zgjidhjes për detyrën migrim” ka ndikuar fort në polarizimin e shoqërisë.

Synimi i këtyre masave është të pakësohen stimujt tërheqës. „Do të nisen më pak njerëz drejt Gjermanisë“, tha ministri i Brendshëm Dobrindt, „kur e dinë se nuk i ndjekin pas familjet e tyre.“

Po marrja e përshpejtuar e shtetësisë gjermane pas tri vjetësh, pse anulohet?

Edhe kjo mundësi, pra marrja e përshpejtuar e shtetësisë gjermane pas tri vjetësh, u anulua për të pakësuar stimujt tërheqës.

Qeveria Scholz vendosi në fillim të vitit 2014, që personat që dallohen për integrim të mirë ta marrin shtetësinë gjermane jo pas gjashtë, por pas tre vjetësh. Me integrim të mirë kuptoheshin, për shembull, rezultate të veçanta në gjuhën gjermane ose në profesion.

Por partitë konservatore CDU/CSU shprehën që atëherë frikën se me këtë shtohen stimujt për migrimin ilegal. Dhe se shtetësia, si mjet, zhvlerësohet, kur e merr kaq shpejt.

Kujtoj se përmbajtja e projektligjeve është dakorduar në programin e qeverisë. Pra për këtë kanë rënë dakord edhe socialdemokratët, që kryesonin qeverinë e kaluar, por tani janë partneri i vogël i qeverisë aktuale.

A do të thotë kjo se kemi një sprapësim të të gjitha masave ligjore pro migrimit të qeverisë së kaluar të kancelarit Olaf Scholz?

Jo, sepse kjo nuk do të ishte në interesin e Gjermanisë. Thelbi i reformave ligjore të shtetësisë të qeverisë Scholz deri tani nuk është prekur.

Për shembull, mbetet i shkurtuar, në pesë vjet, afati i rregullt për të marrë shtetësinë gjermane.  Përpara duhet të prisje tetë vjet. Një deputet i partisë ultra të djathtë, AfD madje u ankua për këtë dhe foli për një “paketë të rreme” masash të qeverisë.

Gjithashtu mbetet ndryshimi që bëri qeveria Scholz, për shumështetësinë. Pra edhe më tej do të mbetet e lehtë që të mbash, veç shtetësisë gjermane, edhe shtetësi të tjera.

Më tej, edhe në të ardhmen, një fëmijë e lindur në Gjermani, qoftë edhe nga azilkërkues, e merr shtetësinë gjermane, kur prindi ka qëndruar pesë vjet në Gjermani. Përpara duheshin tetë vjet.

A mund të thuhet atëhere se kemi të bëjmë me korrigjime, por jo eleminim të masave për migrimin të qeverisë së kaluar?

Kemi të bëjmë me elementë shtesë dhe me korrigjime. Gjermania synon të ulë presionin në kufi dhe në sistemet sociale gjermane. Kancelari Merz, tha edhe së fundi, se të huajt që duan të punojnë në Gjermani, janë të mirëpritur.

Shumë njerëz në Gjermani i çmojnë të huajt si pasurim të Gjermanisë, sepse sjellin përvoja e histori të veçanta.

Por përsa i përket shtetësisë, partitë konservatore, por jo vetëm ato, thonë se ajo duhet të jepet në fund të procesit të integrimit. Kur ti pranon edhe vlerat e vendit ku jeton.

Gazeta me autoritet, Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruante se idealja do të ishte nëse marrja e shtetësisë gjermane shoqërohet edhe me gëzim dhe krenari nga personi që e merr.

Dhe këtë përfytyrim ideal padyshim e plotësojnë shumë të huaj në Gjermani.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×