Ishte dilema e madhe e “valsit” të trajnerëve në Serie A, një enigmë që zgjati pak në kohë, por në fund, pasi trazoi të gjithë ambientin në Itali, në Napoli doli “tym i bardhë”: Antonio Conte do të qëndrojë, projekti vijon. Pas festës së titullit, Conte la të kuptohet se pa një projekt fitues, pa investime të rëndësishme në skuadër do të largohej, me Juven që e priste krahëhapur, por Aurelio de Laurentiis arriti ta bind pas disa raundeve diskutimesh.
De Laurentiis joshi teknikun “azzurr” me një kontratë të re, të përmirësuar në aspektin ekonomik dhe nw terma kohorë. Conte pranoi të rinovoi kontratën edhe më një tjetër vit nga ku do të përfitojë 7,5 milionë euro në sezon, nga kontrata aktuale përfitonte 6 milionë euro. Jo vetëm kontrata personale, ajo që bëri diferencën në fund ishte garancia që Conte mori në lidhje me projektin sportiv.
De Laurentiis dhe Manna, Drejtori Sportiv, i kanë premtuar të paktën 6 blerje cilësore, plus De Bruyne, për të ndërtuar një ekip konkurrues për në Champions League. Pas disa takimeve, të enjten, Conte dhe De Laurentiis u takuan sërish ku qëndruan së bashku për rreth 2 orë e gjysmë, në shoqërinë edhe të Drejtorit Sportiv, ku pasi finalizuan disa detaje, festuan vijimin e bashkëpunimit. Palët u panë duke dalë së bashku nga një restorant, por nuk pranuan të prononcoheshin për mediat.
Për të bërë publike këtë vendim, mendoi presidenti De Laurentiis, me anë të një statusi në rrjetet sociale: “Më shpejtësi maksimale. Më të fortë se përpara”, shkruan presidenti i Napolit.
()