
Në emisionin “Medicius” në News 24, psikologia Ermela Shllaku trajtoi çështje të rëndësishme të marrëdhënieve në çift, përfshirë pasionin dhe tradhtinë. Sipas saj, pasioni nuk shuhet plotësisht, por ndryshon formë gjatë kohës, dhe mund të rindizet nëse të dy partnerët punojnë për të krijuar momente pozitive për njëri-tjetrin.
“Pasioni mbahet gjallë kur të dy e dinë mirë çfarë i sjell kënaqësi partnerit tjetër. Kur ka përkushtim dhe vullnet për të ndërtuar çaste të bukura bashkë, pasioni mund të kthehet gjithmonë,” tha Shllaku. Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit të dyanshëm dhe të ndërgjegjshëm për të ushqyer marrëdhënien.
Në lidhje me tradhtinë, psikologia theksoi se çdo individ e përjeton ndryshe. Ka njerëz që nuk e falin kurrë, dhe për ta, tradhtia është fundi i marrëdhënies. Të tjerë përballen me dilema dhe hyjnë në një fazë pranimi, e cila mund të shoqërohet me pasiguri dhe ndjenja kontradiktore.
“Pranimi i tradhtisë, sidomos nëse bëhet pa adresuar arsyet e saj, mund ta kthejë marrëdhënien në toksike,” paralajmëroi ajo. Sipas saj, falja është një vendim personal, por nëse ekziston dashuria, ajo bëhet më e lehtë. Psikologia shtoi gjithashtu se, për çiftet me fëmijë, është thelbësore që të ruajnë njëfarë harmonie dhe bashkëpunimi, për të siguruar një mjedis të shëndetshëm për rritjen e fëmijës.
Psikologe Ermela Shllaku: Pasioni mes një çifti ndryshon formë, mund të ndizet, mbahet gjallë nga të dy partnerët, sepse të dy e dinë mirë se çfarë i jep kënaqësi palës tjetër. Duke gjetur këto momente, duke krijuar momente sa më shumë pozitive për njëri-tjetrin, e rindezin pasionin sa të munden. Sa i përket tradhtisë, qasja është ndryshe në individë të ndryshëm. Ka individë, që tradhtinë nuk e falin dhe në këtë rast, marrëdhënia përfundon. Ka individë, që kur ndodh tradhtia, emocionale apo fizike, janë në fazën, që edhe duan edhe nuk duan. Këtu ka një fazë pranimi. Kjo është thikë me dy presa, pasi nëse një partner e pranon tradhtinë, është marrëdhënie disi toksike, është alerti, që në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme na zgjohet si ndjesi. Kjo nuk i bën mirë marrëdhënies. Duhet të jemi të qartë shumë në këtë marrëdhënie. Kur duhemi shumë, patjetër që ka vend për falje, por falja është krejtësisht personale. Në çdo marrëdhënie ku ekziston dashuria, falja bëhet më e thjeshtë. Është e rëndësishme edhe për fëmijën, që të dy partnerët të jenë pak a shumë në të njëjtat ujëra, të kenë kujdes për rritjen e fëmijës.
and then